Shaqir Totaj- Ditët e Energjisë së Gjelbër 2022

Shaqir Totaj flet pas kërcënimit ndaj tij

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka thënë se institucionet po merren me rastin e kërcënimit ndaj tij.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Totaj ka thënë se tani nuk ka se çka të komentojë.

“Me këtë çështje po merren institucionet dhe rastin ata do ta trajtojnë në bazë të ligjit. Unë nuk kam çka të komentoj diçka më tepër rreth kësaj” – ka thënë kryetari Totaj.

KALLXO.com raportoi se mbrëmë i pari i Prizrenit, është kërcënuar nga dy persona të dyshuar.

Kërcënimin Totaj e ka raportuar dje në Polici rreth orës 20:00.

Sipas Policisë Totaj ka raportuar se është kanos nga një i dyshuar, i dyshuari i parë ka përcjellë mesazhin përmes të dyshuarit të dytë – djali i ankuesit.

“Ankuesi është kanos nga i dyshuari pasi që ai është i pakënaqur me vlerësimin e pronës së tij nga Komuna. Fjala është për një pronë-shtëpi e cila ka disa vite që pengon përfundimin e rrugës “Tranziti i ri” në Prizren”-ka thënë zëdhënësi i Policisë Shaqir Bytyqi.

Dy personat janë arrestuar dhe janë intervistuar në prani të avokatit.

Me urdhër të prokurorit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.