Shantazhet ndaj prodhuesit vendor

“Mbasi po ma lyp një arsye atëherë po të tregoj se po te qes për pikë të qejfit s’po dua me të pa këtu”, dëgjohet gjatë një bisede duke i thënë Besim Haxhiu drejtori i administratës në ndërmarrjen Trepçës, Elbasan Maliqit, një prodhuesi vendor të peletit i cili ka operuar me qira në objektet e ndërmarrjes Trepça në Mitrovicë.

Sonte në orën 22:30, KALLXO.com transmeton reportazhin për largimin nga ndërmarrja Trepça të një prodhuesi vendor të prodhimit të peletit i cili për disa vite ishte duke funksionuar me qira në objektet e ndërmarrjes.

Në kohën e pandemisë, kompania ELFA kishte marrë një vendim nga menaxhmenti i Trepçës se duhet ta lirojë objektin.

Enes Muzaqi, ushtrues i detyrën së drejtorit në ndërmarrjen “Trepça”, thekson se largimi ka ndodhur duke u bazuar në kontratën që e kanë pasur me kompaninë duke e arsyetuar se Neni 13 i kontratës mundëson qëtalargojnë kompaninë edhe pse ajo ka paguar kontributet ndaj ndërmarrjes.

Arsyen e qartë të largimit nuk e di as pronari i kompanisë “ELFA”, Elbasan Maliqi. Ai thotë se nga 19 nëntori nuk ka qasje në vendin ku ka punuar tash e sa vite.

Nga menaxhmeti i Trepçës, pronarit të kompanisë ia kanë përmendur disa vjedhje që kishin ndodhur brenda ndërmarrjes.

Por Drejtori i administratës së ndërmarrjes, Besim Haxhiu, mohon të ketë kërkuar nga pronari i kompanisë pranimin e fajit për vjedhjet që kanë ndodhur brenda ndërmarrjes.

Ndiqni regjistrimet e bisedave që kanë ndodhur ne mes të drejtuesve të Trepçës dhe pronarit të kompanisë.

Ne pjesën e dytë të emisionit ndiqni rrëfimin e Nehat Bublicës rreth pretendimeve të tij për sjelljen e zyrtarëve policorë brenda stacionit policor në Mitrovicë.

Bublica pretendon se është goditur me shuplakë nga policia brenda stacionit policor.

Ndërsa në fund të emisionit ndiqni pretendimet e Hajredin Gushit nga Prizreni rreth konfiskimeve që prokuroria ka bërë në Prizren.

Gushi pretendon se prokuroria ia konfiskoi pronat që ai i ka të trashëguara nga gjyshi i tij e të cilat ishin shitur para 40 apo 50 viteve.