Foto: RTK

Shaljanët nesër protestojnë për punësimet në ndërmarrjen “Trepça”

Nesër banorët e Shalës së Bajgorës në Mitrovicë do të mbajnë protestë në ora 09:00, në lidhje me pakënaqësitë e tyre rreth punësimeve në ndërmarrjen Trepça.

Protesta do të mbahet te bordi i ndërmarrjes Trepça.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, përmes një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se mbështet këtë protestë, sepse shaljanët po kërkojnë drejtësi.

Ky është postimi i plotë i Bahtirit:

Kombinati TREPÇA, gjithmonë ka qenë promotori kryesor i zhvillimit ekonomik të Mitrovicës, por edhe mbarë Kosovës. TREPÇA ka pasur prodhim të lartë, duke sjellë kështu profit të madh për vendin. Kjo për arsye sepse është punuar drejtë, është punuar pa hile.

Punëtorët janë kujdesur për minierën sikurse për shtëpinë e tyre, sepse realisht edhe ka qenë shtëpia e tyre e dytë. Falë saj kanë siguruar mirëqenie për familjet, arsimin për fëmijët e tyre dhe perspektivë për Kosovën në përgjithësi.

Menjëherë pas luftës, fal punës vullnetare dhe me rrezikshmëri të lartë për minatorët, miniera e TREPÇËS u shpëtua nga përmbysja dhe shkatërrimi i saj. Kjo ndodhi me vendosmërinë dhe sakrificën e minatorëve vendas, shaljanë.

Fatkeqësisht, shumë shpejt pas kësaj filloi implikimi i politikës në punën e minierës dhe u harrua kontributi i minatorëve vendas dhe dalëngadal ata u zëvendësuan me të dëgjueshmit dhe servilët partiak nga anembanë Kosova.

Shaljanët u anashkaluan krejtësisht dhe në vend të punësimit shpërbleheshin me premtime të rrejshme.

Assesi nuk pajtohem me ndarje krahinore, por gjithsesi nuk mund të pajtohem as me injorim të tillë që i bëhet Shalës nga paslufta. Nuk kërkojmë favorizime, por nuk pranojmë as anashkalime.

Pajtohem dhe mbështes fuqishëm protestën e nesërme me anë të së së cilës shaljanët kërkojnë drejtësi dhe barazi, sepse ky duhet të jetë synimi kryesor në shoqërinë tonë”. /RTK