
Shala (PDK): Ku është Fondi Sovran dhe Banka Investive që u premtuan nga Kurti?
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala, e sheh si fajtore partinë në pushtet për ngecjet në zhvillimin ekonomik në vend.
Shkarkimet e shumta dhe mosemërimet e bordeve të ndërmarrjeve të ndryshme publike si dhe marrja e kompetencave të këtyre ndërmarrjeve, sipas Shalës, kanë penguar zhvillimin ekonomik dhe në këtë formë është degraduar shteti në aspektin ekonomik.
“Si ka stabilitet ekonomik, tregtia, industria, raportet me investitorët kur brenda një mandati, Sekretari Permanent tetë herë shkarkohet dhe emërohet [në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë]; si ka mundësi kur shuhet Agjencia KIESA e vendoset pranë Zyrës së Kryeministrit e nuk e kemi asnjë veprim konkret; si ka mundësi të zhvillohet ekonomia e biznesi kur Agjencisë së Pyjeve i merren të gjitha kompetencat dhe barten të Zyra e Kryeministrit; si ka mundësi të zhvillohet ekonomia kur centralizohen trupat inspektuese në gjithë nivelin qendror dhe vendosën pranë Zyrës së Kryeministrit? Pra është degraduar mënyra e udhëheqjes dhe menaxhimit të shtetit në kuptimin ekonomik”- tha Shala.
Ai e përsëriti premtimin që dikur kishte dhënë partia në pushtet për shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), zotim ky i papërmbushur.
Madje lidhur më këtë, Shala tha se po vazhdon privatizimi, veçse në mënyrë më të “egër” nga AKP-ja.
Pa u përmendur nuk mbeten as Fondi Sovran dhe Banka Investiv, premtime këto të kryeministrit Albin Kurti, që sipas Shalës, prapë nuk gjetën zbatim në praktikë.
“A me thoni ju ku është Fondi Sovran? A më thoni ju ku është Banka Investive? Cila ndërmarrje sot performon me rezultat pozitiv? Ku janë premtimet që do ta ringjallim Trepçën?”- pyeti Shala.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.
“Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa fatura fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e leje me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia ‘blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë;”- tha Xharra.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: