Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shala: Mbi 42 për qind e buxhetit të KOK-ut ka shkuar për paga, mëditje e mirëmbajtje të shtëpisë së sporteve

Kandidatja për kryetare të Komitetit Olimpik të Kosovës, Linda Shala, tha në emisionin “Kallxo Pernime” se KOK-u i ka shpenzuar mbi 42 për qind të buxhetit për paga dhe mëditje e mirëmbajtje të shtëpisë së sporteve.

“Komiteti Olimpik i Kosovës, në bazë të raportit që e kemi marrë nga auditori, shpenzimet që i kanë prezantu mbi 43 për qind të shpenzimeve të KOK-ut janë në paga, mëditje, mirëmbajtje të shtëpisë së sporteve, shpenzimet e bordit, kompensime për paga dhe konpensime tjera. Total dikun 243 mijë euro. Që i bie nga buxheti i prezantuar nga 579 mijë eurove që i bie 42 për qind janë pare të shpenzuara për menaxhimin e komitetit olimpik të zyrës dhe bordit”, ka thënë Linda Shala.

Ajo ka thënë se në Federatën e Basketbollit të Kosovës, ku është nënkryetare, nga buxheti total i Federatës, shpenzimet e tilla janë vetëm 10 për qind.

“Unë vij prej FBK-së, neve këto shpenzime nga buxheti total i Federatës nuk e kalojnë 10 përqindshin. Është e pafalshme që mbi 240 mijë euro me u shpenzu për menaxhment”, ka thënë Linda Shala.

Shala këto shpenzime i ka quajtur keqmenaxhim. Ajo po ashtu ka thënë se këto fonde do të zvogëlohen për 40 për qind.