Shala: KEDS-i nuk ka mundësi fizike që të aplikojë reduktime të energjisë në veri

Ish-drejtori i KOSTT-it, Ilir Shala, ka thënë se KEDS-i apo KOSTT-i nuk kanë mundësi teknike dhe fizike që të aplikojnë reduktime të energjisë elektrike në veri të Kosovës.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ Shala tha se përderisa nuk ka qasje fizike, Kosova nuk ka pavarësi energjetike.

“Pavarësia energjetike realizohet de facto kur ke qasje fizike në pjesën veriore, menaxhon dhe e kontrollon nënstacionin dhe linjat i mirëmban dhe operon. Përderisa nuk ke qasje fizike për t’iu qasur qoftë KOSTT-i, qoftë KEDS-i për inkasimin e faturave, nuk është de facto pavarësim, nuk ke qasje në pjesën veriore të Kosovës. Asnjëherë pjesën veriore nuk e ka furnizuar Serbia” – ka thënë Shala.

Sipas tij, gjithmonë dëshira e Serbisë ka qenë që Kosova t’ua ndalë rrymën serbëve në veri.

“Përderisa ne nuk u krijojmë qasje institucioneve tona KOSTT, KEDS, KESCO për me ua ndalë energjinë elektrike, mund të ndodhë që veriu të ketë rrymë e jugu jo. Nuk ka mundësi fizike me shku me ua ndalë. Tash për tash nuk ka mundësi teknike” – ka deklaruar Shala.

“Dëshira e madhe e Serbisë është që Kosova me ua ndalë rrymën serbëve në veri. Sepse Vallaqi është i lidhur me linja me Novi Pazarin, me Vushtrrinë, me Skenderajn që shkon deri te Peja si rrjet. Kjo nënkupton se nëse ti e shkyq veriun, konsumatorët furnizohen prej Novi Pazarit”.