Shala: Ka raste kur kam kërkuar të ndërrohet gjyqtari për shkak se nuk ka vepruar sipas udhëzimeve të Gjykatës

Në emisionin “Kallxo Përnime” u diskutua për gabimet e gjyqtarëve dhe ndikimet e tyre në sistemin e drejtësisë.

Afrim Shala, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, ka folur për aktgjykimet burimore të cilat duhet të nënshkruhen nga gjyqtari së bashku me palët e tjera.

“Mungesa e aktgjykimit burimor ose mungesa e aktgjykimit të njëjtë të përpiluar me shkrim cilësohet shkelje esenciale, pra nëse ne konstatojmë që në shkresat e lëndës nuk kemi një aktgjykim burimor ose që nuk është nënshkruar nga gjyqtari kjo është një lloj shkelje që neve na vë në dyshim se gjyqtari ka shpallur vendimin apo jo, për shkak se mund të ndodhë që gjyqtari e shpall aktgjykimin dhe thotë se i akuzuari është dënuar tre vjet, por kur ta përpilon aktgjykimin me shkrim mund ta bëjë se është dënuar dy vjet” , ka thënë Shala.

Gjyqtari Shala ka bërë të ditur se ka pasur raste në të cilat është kërkuar që të ndërrohet gjyqtari “për shkak se kemi menduar që gjyqtari i shkallës së parë nuk ka vepruar sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, pavarësisht se ai është i pavarur në vendim marrje”.

“Shpeshherë kur e kemi kthy rastin në rigjykim, disa gjyqtarë janë anku se udhëzimet nuk kanë qenë të qarta gjë që e kemi vërtetu që ka qenë e tillë, por që me kalimin e kohës kemi fillu të përmirësohemi në këtë drejtim”, ka thënë gjyqtari.