Shala i PDK-së: Qeveria duhet të vijë me plan për ta nxjerr Telekomin nga kriza

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala ka kërkuar nga Qeveria që të sjell një plan për zgjidhjen e krizës në Telekomin e Kosovës.

Shala në seancën e sotëm që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se duhet gjetur zgjidhja sa më shpejtë e mos të ketë debat “derisa institucionet të kenë kohë të vjedhin”.

“Qeveria duhet të jetë inerte e të ketë qëndrim të prerë. Presim qe shpejtë të sjell planin se çka sot e çka nesër, si po mendon që ta nxjerrë nga kjo situatë, ndryshe nuk mund të vazhdojmë më shtyrje poshtë e lartë, e institucionet më të larta të kenë kohë të vjedhin faktikisht para punëtoreve, sindikatave. Shteti dhe qeveria i ka mundësitë për me vepru. Të gjitha në dorë i keni. Nëse një qeveri nuk i ka kapacitet me i zgjedhë të gjitha problemet që i ka trashegu duhet me tregu çka më tutje. Na presin sfida shumë më të mëdha përveç Telekomit”, tha deputeti Shala në emër të grupit parlamentar të PDK-së.

Ditë më parë xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar si pasojë e përmbarimit të borxhit rreth 25 milionësh nga kompania Dardafone (Z Mobile) që kishte fituar gjykimin në Arbitrazh.

Kuvendi i Kosovës këtë pasdite ka nisur debatin parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, kërkesë kjo e cila ishte parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në seancën e kaluar.

Gjatë ditës, Kompania ‘Dardafon.net LLC’, e njohur me emrin tregtar ‘Z-Mobile’ ka folur për herë të parë për bllokimin e xhirollogarive të Telekomit.

Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Pas këtij vendimi të Gjykatës kanë pasur reagime të Federatës Sindikale të Pavarur (FSP) të PTK-së, si dhe disa takime me kryeministrin Avdullah Hoti e ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi për të gjetur një zgjidhje.

Deri më tash nuk është gjetur asnjë zgjidhje, ndërsa Telekomi i Kosovës ka lajmëruar i janë bllokuar xhirollogaritë nga ana e përmbaruesit.