Shala i PDK-së: Jemi akademi për partitë e tjera se si qeveriset vendi

Ish deputeti i PDK-së dhe kandidati i kësaj partie edhe për një mandat, Ferat Shala, ka thënë sonte se program i kësaj partie për zgjedhjet e 14 shkurtit është hartuar në vazhdimësi.

“Na ka bërë mirë të qenit në opozitë, sepse i kemi parë gabimet e dy qeverive të kaluara. Duke qenë në opozitë dhe duke ofruar mundësi që të dalim nga pandemia, ne patëm mundësi dhe ofruam rreth vetës njerëzit më të mirë nga të gjitha sferat”, ka thënë Shala në emisionin “N’Kuvend” të RTK-së.

Sipas tij, PDK-ja është partia e vetme që e ndjenë dhembjen e vërtetë të shtetit të Kosovës.

“Duke qenë parti shtetformues, ne s’mund të jemi opozitë ndaj shtetit të Kosovës. Prandaj ne ofruam zgjidhje për votimin e ligjit të rimëkëmbjes ekonomike”, ka thënë ai.

Shala tutje tha se ata janë pretendentë për vendin e parë në zgjedhje, sepse, sipas tij, qytetarët i kanë parë qeverisjes e dy partive në dy qeveritë e kaluara.

“Gjashtë muaj nga mbajtën në bisedime për krijimin e qeverisë që zgjati vetëm 50 ditë dhe s’mund të implementojë asgjë. Ne iu dhamë mundësi atyre ta menxhojnë edhe pandeminë, por asnjëra nga qeveritë nuk arriti ta bëjë këtë. As ekonomisë nuk arritën t’i ofrojnë mbështetje, s’kishin as ide, e as koncept për ta bërë një gjë të tillë. Kanë qenë të qarta ato që i ofruam ne si opozitë dhe opinioni e ka parë këtë. Çfarë arritën këto dy qeveri të lënë gjurmë në jetën ekonomike e institucionale të vendit, në menazhimin e pandemisë, në rini e në sport? Asgjë”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se si asnjëherë më parë kategoritë e veteranëve dhe ato sociale ishin të përbuzuara nga dy qeveritë e kaluara.

“Program unë do t’i hap perspektivë të gjithë këtyre padrejtësive që kanë ndodhur nga e kaluara, pradrejtësi që ndodhën në paga, me pensionistët, veteranët dhe familjet e dëshmorëve. Për të gjitha këto padrejtësi ofrojmë zgjidhje”, tha Shala.

Shala tutje tha se PDK-ja është akademi në qeverisje për partitë tjera.

“Mbesim shembull se si ruhet dhe menaxhohet administrata publike. Asnjë largim nuk e kemi bërë gjatë qeverisjes sonë për qëllime politikë. Askush nuk është prekur gjatë pushtetit tonë, për dallim nga qeveritë e kaluara”, ka thënë Shala. /RTKLive/