Shala i LDK-së: Sot shtrohen rrugë për vota e me vizatim të lirë teknik

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për komunën e Gjakovës, Teki Shala ka thënë se po shtrohen rrugë për vota e pa kritere.

“Le të del kryetari i komunës dhe le të na tregon se sa rrugë janë shtru tash e sa janë shtru në vitet e kaluara. Sot shtrohen rrugë për vota pa asnjë kriter e pa ndonjë projekt, vetëm me një vizatim të lirë teknik”, ka thënë Shala.

Në anën tjetër Ardian Gjini, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Gjakovën ka thënë se këto rrugë po shtrohen për shkak se janë buxhetuar në vitin 2020.

Sipas Gjinit këtë buxhet e kanë votuar të gjitha partitë në asamblenë komunale.

“Këto rrugë janë buxhetuar në vitin e kaluar kur të gjitha partitë e kanë votuar buxhetin. Këto rrugë janë buxhetuar në vitin e kaluar në shtator e gjithmonë shtrohen në këtë kohë sepse duhet t’i ndjekim procedurat e prokurimit. Edhe mbajeni në mend edhe pas shtatorit ka me fillu e edhe në vitin tjetër ka me vazhdu. Gjithçka që është buxhetuar dhe prokururar në vitin 2020 ka me u kry”, ka thënë Gjini.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjakovës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Gjakovës: Arbënesha Kuqi nga PDK; Ardian Gjini nga AAK; Fazli Hoxha nga Nisma Socialdemokrate; Ferdinand Kolaj nga PShDK; Mimoza Kusari Lila nga LVV dhe Teki Shala nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjakovës: Genta Domi Hoxha nga LDK; Lirianda Dahsyla nga PDK; Nita Efendia Brovina nga AAK; Saranda Alimusaj nga Nisma Socialdemokrate; Time Hasani nga LVV dhe Valerije Kola nga PShDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.