Shala: Albin Kurtin mund ta quajmë simbol të hipokrizisë politike

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, para deputetëve gjatë fjalimit të tij në seancën plenare, ka kërkuar falje për një muaj ngecje, por sipas Shalës, falje duhet të kërkojnë ata të cilët u zotuan për formimin e Qeverisë.

“Kosovën e presin sfida andaj kjo qeveri edhe pse e vonuar është e mirëseardhur pas një seriali me shumë episode ku po ndajnë pazaret mes dy partive të para. Të paktën nga sot qytetarët nuk janë të obliguar të dëgjojnë ofendimet e juaja ndaj njëri tjetrit”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se kjo qeveri do të mbahet mend për marrëveshje të shpejta të programeve, dhe stërzgjatje e marrëveshjeve për pozita.

“Më shumë se  bashkëpunim e keni synuar dominimin ndaj njëri tjetrit dhe kjo do të manifestohet me problem të vazhdueshme që do të ju dalin rrugës e që do të bënë koalicionin jo stabil”, ka thënë Shala.

Ai tutje ka thënë se muajt e fundit kanë shërbyer që të shohin partinë e Albin Kurtit që të zhvishet nga çdo ideal.

Në fjalimin e tij, Shala i ka drejtuar një listë me pyetje kryeministrit në ardhje, duke thënë se pret pak nga ky kryeministrit që e ka quajtur simbol të hipokrizisë politike

Pyetjet e Haxhi Shalës për Albin Kurtin:

Si arrite që dikë që e gjykoj në studio televizive me dhjetëra vite burg që VV kishte dërguar edhe dosje në prokurori të bëhet sot bashkëpunëtori yt?

Si mund të presim forcimin e republikës që në kulturë të aktiviteteve e ka radikalizmin?

Atë kohë kur po bëhej përgatitja e negociatave të Vjenës për zgjedhjen e statusit të Kosovës thërriste për bojkotim të këtyre bisedimeve, sot të gjithë pajtohen se pavarësi e Kosovës është si rezultat i këtyre bademeve dhe nëse do të dëgjonim ty Albin as shtetin nuk do ta kishim.

A do të krijosh kompromis të ri me Serbinë apo do ta mbash qëndrimin se VV është e vetmja rrugë, Albin?

A do ta negociosh vetëm me qytetarët serbë në Kosovës apo do të shkosh së bashku me Hashimin në Bruksel?

Çka do ta bësh me demarkacioni, Albin?

A keni qëndrime të përbashkëta se si do të tejkalohen këto çështje?

Po me Listën Serbe ku mbetën vijat e kuqe?

A do të kenë vend në qeverinë tënde ata që i quajte “çetnik” apo jo, Albin?

Çfarë do të bësh me taksën Albin?

Çfarë do të bësh me Gjykatën Speciale, Albin, pse po strukesh kur po flitet kjo temë, a ke qenë ai që rrahje gjoks e që në qeverisjen tënde nuk do të dorëzohen ushtarët e UÇK-së?

Si është e mundur Albin se tash e kuptove se 12 ministri nuk mjaftojnë e se duhen 15?

Si do të arsyetohet sjellja juaj me media përgjatë negociatave me LDK-në, a do të jetë kjo mënyra e transparencës që e ke premtuar?

Cilat do të jenë arsyet tua para popullit Albin për këto tema?

“Kjo qeveri do të jetë afatshkurtër që do të karakterizohet me probleme të brendshme e pakënaqësi popullore”, ka thënë Shala.