Shala: 84 milionë euro kanë kushtuar devijimet në veri si rezultat i mos zbatimit të udhërrëfyesit për energji

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala sot gjatë seancës së Kuvendit ka kritikuar Qeverinë lidhur me moszbatimin e Udhërrëfyesit të Energjisë për Komunat Veriore të Kosovës.

Shala ka thënë se gjatë vitit 2021 deri në tetor të vitit 2022 janë shpenzuar 84 milionë euro për çështjen e devijimeve në veri.

“Komplet e keni heq nga agjenda çështjen e udhërrëfyesit. Sovranitet është edhe energjia, jo vetëm tabelat. Dëmi më i madh është sepse çështja e udhërrëfyesit ka kosto shumë më të lartë. Vetëm gjatë vitit 2021 dhe deri në tetor 2022, buxhetit të Kosovës, çështja e devijimeve në veri i ka kushtuar 84 milionë euro. 84 milionë euro pagesë i keni bërë për devijimet në veri si rezultat i mos zbatimit të politikave të udhërrëfyesit” – ka thënë Shala gjatë seancës së Kuvendit..

Sipas tij, për devijimet në veri për 10 vite nuk janë shpenzuar aq para sa janë shpenzuar në qeverinë Kurti.

“Nga 2010 deri në 2020 të gjitha qeveritë bashkë i kanë shpenzua 75 milionë për devijimet në veri”- ka deklaruar ai.

Ai ka kërkuar nga Qeveria informacione se ku ka mbetur çështja e Udhërrëfyesit për Energji.

Shala tutje më seancën për vazhdimin e masave emergjente të energjisë, ka thënë se nuk ka ndryshim as në gjendjen e energjisë as në mënyrën e menaxhimit.

“Ajo se çfarë sot po diskutojmë është rutinë që shtatë herë, ajo që po kuptojmë është që nuk ka ndryshim të gjendjes as në pjesën e tregut energjetik, as në mënyrën e menaxhimit. Kemi përsërit vetën tash e shtatë herë” – ka shtuar ai.

Ai ka thënë se Grupi Parlamentar i PDK-së nuk do ta mbështetë këtë vendim.

Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme po shqyrton sot propozimin e Qeverisë për zgjatjen për 30 ditë të masave emergjente të furnizimit me energji.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë propozim-vendimin e Qeverisë për zgjatjen të masave emergjente të furnizimit me energji.