Shaip Kamberi përfundon mandatin e deputetit në Parlamentin e Serbisë

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se dje ka përfunduar mandatin si deputet në legjislaturën dyvjeçare.

Kamberi ka thënë se ishin vetëm 6 deputetë opozitarë përballë 244 deputetëve të shumicës parlamentare por sipas tij edhe po të ishin më shumë në numër, nuk kishte ndryshuar diçka konkrete në politikën dhe në vendimet e kësaj shumice parlamentare të një pushteti siç e quan ai autoritar siç është ai i Aleksandar Vuçiqit.

“Shumë më e rëndësishme është se çfarë politike ushtron në përfaqësim. Pra, deputetët nga Lugina në Kuvendin e Serbisë marrin kuptim dhe vlerë nga politika që përfaqësojnë dhe ushtrojnë, jo vetëm nga prania ose numri i tyre”, ka thënë Kamberi përmes një postimi në Facebook.

Kamberi tha se ka dhënë maksimumin për t’i përfaqësuar denjësisht interesat e qytetarëve që ka përfaqësuar.

“Kam ngritur tema. Me prioritet ato nga Lugina e Preshevës, por edhe ato që shpërfaqin pushtetin autoritar dhe karakterin hegjemonist të Serbisë së sotme të Aleksandër Vuçiqit. Një pushtet antipaqe dhe jodemokratik”, ka thënë ai.

Kamberi ka cekur disa nga temat për të cilat është shprehur gjatë paraqitjeve të tij.

“Shpërfaqja e diskriminimit shtetëror mbi baza kombëtare të shqiptarëve dhe të shtypjes socio-ekonomike të Luginës së Preshevës, çështja e mohimit të gjenocidit e krimeve të luftës dhe politika shtetërore e glorifikimit të kriminelëve të dënuar,  institucionalizimi i gjuhës raciste, aspiratat hegjemoniste rajonale të pushtetit në Serbi, instrumentalizimi i drejtësisë dhe i policisë nga pushteti, thellimi i pabarazive dhe padrejtësive, mungesa e politikave të mira në arsim, shëndetësi, mjedis, politika publike dhe mbrojtje sociale”, ka thënë ai.

Kamberi po ashtu ka thënë se nuk na duhet të bëhemi pjesë përbërëse dhe partner i këtij lloj pushteti.

“Nuk kemi aktualisht në Serbi ndonjë forcë serioze demokratike dhe progresive politike që meriton të bëhemi pjesë përbërëse ose partnere e saj, qoftë direkt në qeveri, qoftë indirekt në parlament me pseudo-opozitarizëm”, ka thënë ai.

Sipas tij, implementimi i marrëveshjeve për Luginën e Preshevës nga Qeveria e nesërme e Serbisë duhet të jenë kërkesa, kushti, synimi dhe qëllimi jonë ndaj Beogradit zyrtar.

“Nuk kemi nevojë për poste ministrash e sekretaresh për përfitime personale në pushtetin e Vuçiqit dhe të opozitës së sotme në Serbi që mund të bëhet pushtet pas zgjedhjeve të 3 prillit, por për implementimin e marrëveshjeve për Luginën e Preshevës dhe për liri, zhvillim, drejtësi e barazi kolektive”, ka shtuar ai.