Shaip Kamberi: Nënkryetarja e Kuvendit të Serbisë kërkoi arrestimin tim

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se deputetja e Partisë Socialiste (SPS), Snezhana Paunoviq, njëkohësisht edhe nënkryetare e Kuvendit, ka kërkuar arrestimin e tij.

Ai ka thënë se një deklaratë e tillë është bërë dje në debatin parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi në Kuvendin e Serbisë.

“’Nëse kemi gabuar me lirimin e Albin Kurtit nga burgu, mos të gabojmë me mosarrestimin e Shaip Kamberit”, ka deklaruar dje, në seancën parlamentare ku u debatua për dialogun Kosovë-Serbi, deputetja e Partisë Socialiste të Sllobodan Millosheviqit, Snezhana Paunoviq” – ka thënë Kamberi.

Tutje ai ka thënë se deputetja ka shtuar fjalimin e  saj me “Nëse nuk është e mundur kjo ta shpërngulim nga këtu”.

Sipas Kamberit, deputetja serbe kishte propozuar arrestimin e tij sepse një ditë më parë, gjatë fjalimit të Kamberit rreth Kosovës, ky i fundit kishte theksuar domosdoshmërinë e udhëheqjes së politikës me ambicie realiste.

“Zonja Paunoviq kërkon të arrestohet deputeti i cili në seancën parlamentare, duke shfrytëzuar lirinë e mendimit dhe shprehjes – liri kjo e “garantuar” me Ligjin për Kuvendin – rreth një pike të rendit të ditës duke kërkuar udhëheqjen e politikës së ballafaqimit me realitetin” – tha Kamberi.

Tutje ai shtoi se kur është në pyetje Kosova, inkuizicioni në Serbi që, sipas tij, moti ka marrë hov, duke i cilësuar tradhëtarë apo armiq të Serbisë ata që hapur flasin cili është realiteti rreth Kosovës.

“Sot, ky inkuizicion është bërë edhe parlamentar. Po fole të vërtetën të kërcënojnë se do të djegin në turrën e druve. Kjo është ajo që ka ka kërkuar deputetaja Paunoviq – nënkryetare e parlamentit” –  ka thënë ai.

Tutje deputeti shqiptar ka thënë se i vjen keq për kokëfortësinë e serbëve për refuzimin e realitetit rreth Kosovës.

“Politika serbe karshi Kosovës vazhdon të mbetet dogmatike jo realiste. E vëreteta mund të jetë e hidhur por nuk duhet ta mohosh” – tha Kamberi.

Tutje ai shtoi se me të apo pa të “toka do të vazhdojë të rrotullohet” dhe se me të apo pa të, Kosova do të mbetet e pavarur.