
Deputeti shqiptar Shaip Kamberi në Kuvendin e Kosovës, 20.12.2024, Foto: Antigona Isufi/KALLXO.com
Shaip Kamberi i pranishëm në seancën mes Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë
Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe ai i Republikës së Shqipërisë do të mbajnë një seancë të përbashkët më 20.12.2024.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, shefat e Grupeve Parlamentare të Shqipërisë dhe deputetë të tjerë, kanë arritur në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës. Në seancë është e pranishme edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pos tyre, në sallë është i pranishëm edhe Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Paralamentin e Serbisë.


Në mbledhjen e përbashkët do të jenë edhe dy kryeministrat, Edi Rama dhe Albin Kurti.
Në agjendën e parashikuar të këtij takimi është parashikuar që pas himneve të të dyja vendeve, mbledhja të nisë me fjalën e kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe pas tij do të flasë homologia, Elisa Spiropali.
Mbledhja e përbashkët do të përmbyllet me fjalime të Albin Kurtit dhe Edi Ramës.
Kjo është hera e dytë që Kuvendet e dy vendeve mbajnë seancë të përbashkët. Herën e kaluar, deputetët u bënë bashkë në ambientet e Kuvendit shqiptar për shënimin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28.11.2022.
Ndërsa, mbledhja e përbashkët e dy Qeverive, e planifikuar për 14.06.2023, ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një ditë para se mbledhja të mbahej.
Pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pati ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive.
Mbledhja e fundit mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është mbajtur më 20.06.2022.