Samir Shahini - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Shahini: Në shkollat me sistem paralel ka ende diskriminim të nxënësve, Fushë-Kosova e ka eliminuar këtë dukuri

Samir Shahini, drejtor i komunal i Arsimit në Fushë-Kosovë, thotë se rastet e diskrimininit në shkolla janë të izoluara.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se diskriminimi sistematik vazhdon në shkollat ku ka sistem paralel me klasë të ndara.

“Ekzistojnë ende raste të izoluara të diskriminimit në shkollat tona mirëpo nuk janë sistematike. Diskriminimi sistematik vazhdon në ato shkolla ku ka sistem paralel. Kjo ndodh në shumë shkolla në fshatra e qytete me shumicë shqiptare por edhe në ato me shumicë serbe ende vazhdojnë të segregohen, në klasa të ndara. Në shkollat me shumicë serbe, romët vazhdojnë të mësojnë në klasa të ndara”, ka thënë ai.

Ai tha se në shkollat e Fushë-Kosovës kjo dukuri është eliminuar.

“Në shkollat e Fushë-Kosovës ka gati 20 vite që kjo dukuri është eliminuar. Unë që 6 muaj jam në Drejtori të Arsimit në Komunën e Fushë-Kosovës dhe nuk kam pasur asnjë kërkesë apo ankesë nga prindërit për këtë”, shtoi ai.

Ai tha se në shkollën “Selman Riza” ku ka shumë nxënës të këtyre komuniteteve nuk ka sistemin të tyre në fund të klasave.

“Sot kam qenë në shkollën “Selman Riza” ku ka shumë nxënsës nga komuniteti rom, ashkali e gjiptian, sidomos ashkalinj, nuk ka klasa të ndara, nuk ka sistemim të nxënësve në fund të klasave si ka qenë më herët. Kjo falë edhe një kontributi të shumë organizatave që e kanë mbikëqyrur nga afër integrimin e këtyre nxënësve”, shtoi tutje ai.

Shahini potencoi se sivjet për herë të parë kanë një mësimdhënëse nga komuniteti egjiptian që është angazhuar muajin e kaluar. Deri tani, sipas tij, nuk ka qenë asnjë në sistemin publik.

Sipas tij, procesi i rektrutimit nuk i dallon etnitë por kërkon përgatitje të caktuar.

“Procesi i rekrutimit nuk i dallon etnitë por kërkon përgatitje të caktuar. Fushë-Kosova ende vazhdon të ketë një problem të mospërcjelles nga shkollimi fillor obligativ në atë të mesëm që ende nuk është obligativ. Një numër i madh i nxënësve e braktisin shkollen në nivelin e  mesëm. Braktisja te komunitetet është më e madhe”, shtoi ai.

Sipas tij, pjesa më e madhe e arsyetimeve pse braktiset shkollimi është mungesa e përspektivës për punësim dhe pengesa nga familja e jo martesa e hershme siç ekziston stigma në shoqëri për këto komunitete.