(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com

Shaban Gogaj nuk e pranon përsëri avokatin e caktuar nga gjykata

Liridon Tafaj ka pranuar që ta mbrojë Shaban Gogajn në procesin gjyqësor ku Gogaj po akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt.

Ndërsa i akuzuari Gogaj përsëri nuk e ka pranuar atë si mbrojtës.

Edhe pse ai nuk ka pranuar si mbrojtës Tafajn, gjykata e ka njoftuar se Tafaj mbetet si avokat në gatishmëri nëse Gogaj dëshiron të konsultohet me të.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti.

Avokati Tafaj ka kërkuar kohë që të përgatitet për seancë gjyqësore.

Në këto rrethana seancat e radhës janë caktuar më 8 dhe 13 shtator.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

Procesi gjyqësor i Shaban Gogajt është bllokuar prej momentin kur avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga e drejta për mbrojtje në këtë çështje penale.

Ndërsa ende nuk po arrihet të krijohen kushtet për seancë pasi nuk po arrihet të sigurohet mbrojtja e Gogajt, gjersa ky i fundit ka deklaruar se nuk e dëshiron një mbrojtës tjetër përveç avokatit Besnik Berisha.

Gogajt po mbahet në paraburgim prej ditës kur ka ndodhur vrasja e Agonis Tetajt.

Sipas aktakuzës se prokurorisë, më 23 shtator të vitit 2021, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxorri revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur më këtë rast mund ti lexoni në këtë LINK.