Gjykata Themelore e Pejës - Foto: KALLXO.com

Shaban Gogaj i akuzuar për vrasje nuk ka mbrojtës, gjykata anulon seancën

Gjykata në Pejë ka dështuar të vazhdojë procesin gjyqësor kundër Shaban Gogajt, të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetajt.

Dështimi i seancës ndodhi pasi i akuzuari Gogaj nuk ka mbrojtës tjetër pas përjashtimit të ish avokatit të tij, Besnik Berisha.

“Si rezultat i përjashtimit të mbrojtësit të tij, i njëjti nuk ka mbrojtës tjetër, andaj nuk ka kushte për mbajtjen e seancës”, tha zyrtarja për informim në gjykatën e Pejës, Tringa Zhuti.

Në seancën e fundit të mbajtur në këtë çështje, trupi gjykues përmes një vendimi ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

“Përjashtohet nga gjykimi avokati Besnik Berisha saktësisht nga e drejta për mbrojtjen e Shaban Gogajt dhe njoftohet i akuzuari se mund të angazhojë një mbrojtës tjetër menjëherë, në të kundërtën nëse nuk e cakton, do t’i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare”, tha gjyqtarja Violeta Husaj – Rugova.

Paraprakisht avokati Berisha ishte dënuar me 500 euro gjobë, pasi sipas gjykatës avokati vazhdimisht jepte deklarata se gjykata është duke paragjykuar këtë çështje penale.

Më këto vendime të gjykatës së Pejës, nuk është pajtuar Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës, të cilët i kanë dalë në mbrojtje avokatit Berisha.

Këshilli i Odës kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së aktvendimeve në lidhje me shqiptimin e gjobës dhe përjashtimin e avokatit Berisha nga mbrojtja e të pandehurit në këtë çështje penale.

Ky Këshill madje ka kërkuar nga Gjykata e Pejës, respektivisht kryetari i saj, që të rishqyrtojë aktvendimet e marra dhe të iniciojë procedurë disiplinore ndaj kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Violeta Husa-Rugova.

Ndërsa gjykata e Pejës nuk e ka gjetur të bazuar kërkesën Këshillit të Odës së Avokatëve të Kosovës për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares Husaj-Rugova.

Sipas burimeve të KALLXO.com, gjykata e ka hedhur poshtë edhe kërkesën për rishqyrtim të vendimit për gjobë dhe përjashtim të avokatit Besnik Berisha.

Në mars të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar për fotografinë ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua në KALLXO.com disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt.

Shaban Gogaj po akuzohet për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.