Sfidat për shtrirjen e autoritetit të ATK-së në gjithë territorin e Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, gjatë prezantimit të aktiviteteve të zhvilluara për periudhën janar-qershor 2022 ka folur edhe për shtirjen e autoritetit të ATK-së në veri të vendit.

Murtezaj tha se sfidë nuk është vetëm pjesa veriore po gjithë vendi në drejtim të identifikimit të të gjithë personave fizik e juridik që zhvillojnë aktivitet ekonomik dhe që nuk paguajnë tatim.

“Mund të jetë më e theksuar sfida në pjesën veriore por ne vazhdojmë ta ushtrojmë autoritetin tonë në gjithë territorin e vendit duke e përfshirë edhe pjesën veriore”, tha ai duke shtuar se përpjekjet janë t`i identifikojnë shmangiet tatimore.

Edhe ministri i Financave Hekuran Murati, tha se ka sfida ne gjithë territorin dhe po u bëhet thirrje qytetarëve për ta marr kuponin fiskal.

“Vetëm vitin e fundit ka pas aksione sa komplet sa komplet 10 vite paraprake bashkë. I keni përcjell sidomos dogana ndalimi dhe luftimi i kontrabandës dhe ndërhyrjet e policisë për t`i luftuar aktivitetet ilegale. Është proces gradual po tempoja është më e shpejtë dhe më e mirë sesa që ka qenë një dekadë më herët”, tha Murati.

Ministri Murati dhe drejtori Murtezaj kanë deklaruar se kanë denoncuar bizneset të cilat nuk kanë lëshuar kupon fiskal.

“Kam pas denoncime, kam raportu”, tha Murtezaj.

“Shpeshherë e denoncoj rastin edhe te drejtori i them që filan biznesi qenka duke mos lëshu kupon fiskal”, tha Murati.

Murati dhe Murtezaj shtuan se ka nevojë për inspektorë shtesë.

“Ne i kemi rreth 300 inspektorë dhe është e pamundur të jenë në të gjitha bizneset prezent. E kemi obligim si qytetarë që ta kërkojmë kuponin fiskal kur kryejmë blerje”, tha ai.

Kurse sa i përket konkursit për drejtor të ATK-së, Murati tha se e kanë shpallur një konkurs dhe konkursi ka përfunduar, është mbyll afati.

“Ka pas kërkesë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërrbimit Civil për të shqyrtuar si proces se baza ligjore si ka qenë”, tha Murati.

Ministri Murati gjithashtu ka përmendur edhe rimbursimin apo shpërblimin për kuponët fiskal. Sipas tij janë duke punuar ta bëjmë në mënyrë digjitale e më të thjeshtë në mënyrë që çdo muaj të funksionon pa pritur në radhë.

Murtezaj: ATK ka mbledhur mbi 355 milionë euro të hyra për gjashtë muaj