Pamje nga promovimi i librit në “Në luftë hibride”. Foto: KALLXO.com.

Sfidat e sigurisë kombëtare, Burim Ramadani promovon librin "Në luftë hibride"

Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, ka promovuar më 11.12.2024 librin  “Në luftë hibride: vitet sfiduese në sektorin e sigurisë 2018-2022”.

Përmes këtij libri, autori Ramadani sjell ekspertizën dhe përkushtimin e tij në fushën e sigurisë.

Libri është një burim me vlerë për akterët e sigurisë dhe politikëbërësit në vend.

Përmes këtij libri autori tregon për rëndësinë që ka personeli i inteligjencës në sigurinë kombëtare përballë luftës hibride.

Gjon Culaj, redaktor i librit, tha gjatë promovimit se “Në luftë hibride” është kombinim i kujtimeve, teorisë dhe publicistikës, përvojës personale të autorit, në fushën e sigurisë.

Sipas Culajt,  përmes këtij libri, autori parashikon edhe zhvillimet e sigurisë në dhjetë vitet e ardhshme në Kosovë.

“Këtu autori na rrëfen përvojën e tij institucionale duke e ndërlidhur me ngjarje dhe momente të veçanta. Pjesa më e madhe e librit  ka të bëjë me çështje të sigurisë, ku autori në mënyrë brilante trajton aspektet teorike të sigurisë në aspektin multidisiplinar”- ka thënë Culaj.

Kurse, autori i librit, Burim Ramadani, tha se “Në luftë hibride” kombinon kujtimet, përjetimet, konceptet, publicistikën dhe aktivitetet e tij personale.

“Libri është thirrje për organizim shtetëror dhe institucional, për bashkëpunim dhe ndërtimin e kapaciteteve për me u përballë me këtë kërcënim të sigurisë kombëtare, i cili ka filluar shumë herët e po konceptohet tash dhe që mbetet edhe për një kohë të gjatë”- tha Ramadani.

Ai tha se libri ndahet në 5 kapituj.

Në të parin trajtohen konceptet të fushës së sigurisë dhe inteligjencës, në të dytin trajtohen konceptet dhe problematikat rreth luftës hibride. Në të tretin flitet për bërjen e ushtrisë së Kosovës. Në të katërtin autori flet për rikthimin e tij në jetën politike. Kurse në të pestin jep një parashikim se si do të jetë Kosova në 10 vjetët e ardhshme në fushën e sigurisë.

Pamje nga promovimi i librit në “Në luftë hibride”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga promovimi i librit në “Në luftë hibride”. Foto: KALLXO.com.