Sfidat e marrëveshjes së dialogut Kosovë - Serbi

Ndër sfidat kryesore në marrëveshjet e dialogut teknik Kosovë – Serbi mbeten energjia elektrike dhe asociacioni i komunave, sipas ekspertëve të kësaj fushe.

Pesë autorët e artikujve në lidhje me marrëveshjet në mes dy shteteve sot diskutuan në lidhje me këtë çështje në tryezën e diskutimit të mbajtur nga Grupi për Ballkan dhe  Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë – Serbi.

Shpëtim Gashi nga Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse tha që përveç këtyre pengesë mbeten edhe pranimi i diplomave të universitetit, vendosja e targave, targat e Kosovës. Ndërsa arritjet nga marrëveshjet janë liria e lëvizjes, integrimi i veriut me zgjedhjet lokale, vendosja e pikave doganore.

Aktivistja e shoqërisë civile Florentina Hajdari- Hajra tha se sovraniteti i Kosovës ka munguar deri në zgjedhjet lokale të mbajtura në Veri. Sipas saj dialogu nuk duhet të shihet si i dështuar sepse disa marrëveshje kanë dhënë efekte pozitive.

“Marrëveshja për drejtësi i ka ndihmuar prokurorëve dhe gjyqtarëve në zvogëlimin e lëndëve dhe krimit. Ndërsa në mungesën e marrëveshjeve të tjera ka ndikuar polarizimi politik”, tha Hajdari- Hajra.

Naim Leo Beshir, nga Instituti për Çështje Evropiane tha se edhe pse është bërë marrëveshje e telekomunikacionit personat që vijnë në Kosovë nuk mund të kenë qasje në rrjetin e Kosovës.

Sipas ish anëtarit të ekipit negociator, Gazmir Raci vendosja e policëve të Kosovës në dy pika doganore, krijimi i kodit telefonik, integrimi i veriut kanë ndikuar në përmirësimin e raporteve.

Ndërsa si probleme kryesore i sheh energjinë, asociacionin e komunave, urën e  Mitrovicës, reciprocitetin, marrëveshjen për kadastër dhe njohjen e targave.

Autorët, qytetarët dhe profesionistët nga Kosova dhe Serbia në përmbledhjen “Pikëpamjet mbi marrëveshjet e dialogut teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë” sjellin rezultatet pozitive të marrëveshjeve të dialogut teknik si: energjisë, lëvizja e lirë, gjyqësori, vulat doganore, menaxhimin e integruar të kufirit dhe marrëveshjen për transportin e mallrave të rrezikshme.

Seria prej 17 artikujve është publikuar në media të Kosovës dhe Serbisë për të informuar publikun për arritjet e dialogut teknik.