Sfidat e dygjuhësisë në Universitete

Universiteti i Prishtinës ende nuk ka arritur të krijoj një departament ku studentët mund të mësonin gjuhën serbe. Në mungesë të një dege të tillë, në tregun e punës në Kosovë ka mungesë përkthyesish dhe njohësish profesionist të cilët arrijnë të përkthejnë nga gjuha serbe në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.

Në vitin 2015 në UP u hap Dega e Ballkanistikës, mirëpo ajo u mbyll një vit më vonë për shkak se mungonin profesorët.

Lindita Rugova, dekane e Fakultetit Filologjik ka treguar sfidat e këtij fakulteti për akreditimin e këtij programi.

Lindita Rugova, dekane e Fakultetit Filologjik

“Qëllimi i themelimit ka qenë më shumë shkencor, që në vitin 2009 -2010 dhe në vitin 2015 e fituam akreditimin për një program bachelor për ballkanistikën dhe më pas e kemi pasur të përgatitur edhe masterin, por më shumë shkencor me qëllim përgatitjen e kuadrove të reja që do të merren me gjuhësinë ballkanike, përgatitje e përkthyesve, njerëzve të diplomacisë”, thotë ajo për BIRN.

Procesi i akreditimit të degës së Ballkanistikës, ka qëndruar i bllokuar për disa vite. Vetëm në vitin 2021 pesë vite pas mbylljes, Universiteti sërish aplikoi për ta riakredituar dhe që nga ky vit, është hapur programi për studentë.

“Te Ballkanistika është një gjë interesant, sepse ata që vijnë në Ballkanistikë do ta kenë obligim që ta mësojnë edhe shqipen, kjo është e shkruar në program. Është një nga ato gjithëpërfshirjet duke e mësuar edhe shqipen është një karakteristikë shumë interesante sepse serbi, boshnjaku apo turku e ka të obligueshme gjuhën shqipe. Ndërkaq shqiptarët që duan të mësojnë një gjuhë tjetër, duhet të zgjedhin cilën gjuhë, varësisht nga profili i tyre se ku punojnë, por edhe të krijojmë mësimdhënës”, shton dekanja.

Bruno Neziraj i siguron vetes dhe familjes së tij të hyra për jetesë duke punuar si përkthyes profesional. Sipas tij, mungesa e një departamenti të studimeve, ka krijuar mungesë profesionalizmi te përkthyesit të cilët veprojnë në Kosovë.

Bruno Neziraj- Përkthyes

“Nuk kisha thënë që ka ndikuar situata aktuale, por që nga prishja e ish-Jugosllavisë shënohet rënia e njohësve të mirëfilltë të gjuhës serbe, sepse plot njerëz e bëjnë atë gabim që mendojnë se kur e njeh dikush gjuhën, mundet edhe ta përkthej, por fatkeqësisht nuk është e vërtetë. Për t’u bërë një përkthyes i mirë duhet ta doni punën tuaj”, thotë ai për BIRN.

Mungesa e profesorëve të kualifikuar, ishte arsyeja e mbylljes së katedrës së Ballkanistikës dhe hapja e saj rekomandohet të bëhet duke përdorur profesionist të fushës.

Bardh Rugova, profesor në departamentin e Ballkanistikës thotë se ky program ka edhe element ekonomik.

“Me hapje të ndryshme në rajon, ka nevojë për të gjetur vende pune, për t’u punësuar dhe përmbushën këto kritere”, shton ai.

Kurse, Zharko Millenkoviq, shkrimtar thotë se të gjitha ato që paralajmërohen çdo ditë, duken si një lloj premtimi i cili nuk do të jetësohet asnjëherë.

“Katedra për ballkanologji do të ishte një shembull i mirë i shtrirjes së dorës së bashkëpunimit ndërmjet popujve në Ballkan dhe të studimit të kulturave të tyre, të bashkëjetesës së kulturave dhe ngërthimit të tyre. Megjithatë mua më duket se ajo që planifikohet në Prishtinë, nuk është ajo katedër për ballkanologji që do të duhej të ishte, por është një lloj projekti ideologjik dhe i strehimit të disa të ashtuquajtura autoritete që do të flisnin gjithçka që do të na dëmtonte shumë neve që jetojmë këtu “, thotë Millenkoviq.

Ndërtimi i një dege ku studiuesit e gjuhës do të zhyteshin në studime të thella të gjuhës vlerësohet të ketë ndikim edhe në institucionet publike dhe në ato të sistemit të drejtësisë ku nevoja për përkthyes profesional është e lartë.

Komisioneri për Gjuhë, Sllavisha Mlladenoviq, thotë se pret nga ky program që serbishtja të studiohet së paku si lëndë në Universitetin e Prishtinës.

Komisioneri për Gjuhë, Sllavisha Mlladenoviq

“Ndonëse ballkanologjia nuk ishte synimi përfundimtar i zyrës sonë sepse konsiderojmë se ishte i nevojshëm themelimi i katedrës për gjuhën serbe, kjo megjithatë ka qenë një lloj kompromisi. Ajo çfarë është shumë më e rëndësishme për Zyrën e Komisionarit është se në këtë projekt bashkërisht me Universitetin, është themeluar Qendra për Gjuhë në të cilën do të mundësohet studimi i gjuhëve të rajonit dhe certifikimi i njohjes së gjuhëve, të shqipes, respektivisht serbishtes, dhe do të mundësohet që më në fund të vendosim edhe kërkesën për pozitat e caktuara në administratë që të jetë e obliguar njohja e dy gjuhëve zyrtare për punë në institucione”, thotë ai për BIRN.

Deri në hapjen e katedrës së re të studimeve në Kosovë, profesionin e përkthyesit profesional do e kenë ata që studiuan në të kaluarën gjuhët, ndërsa të rinjtë që kanë mësuar gjuhët do e kenë problem angazhimin për shkak të mungesës së certifikimeve profesionale.