Sfida “Superman”, 7 nxënës të lënduar në shkollat e Mitrovicës së Jugut

Në disa shkolla, një sfidë e re fizike po bëhet e popullarizuar “Superman Challenge”. Një aktivitet i ri i frymëzuar nga trendi i njohur në aplikacionin “Tiktok”, ku  kërkohet nga nxënësit të imitojnë lëvizjet e superheroit, duke sfiduar kufijtë e forcës dhe shkathtësitë fizike.

Drejtori i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Musa Hoti” në Mitrovicë të Jugut, Iset Beka, në një prononcim për KALLXO.com ka konfirmuar dy raste nga “Superman Challenge”.

“Sa i përket “Superman Challenge”, i kemi pas dy raste një ndrydhje dore dhe një frakturë në dorë, nxënësit janë të klasës së VIII-të”- ka thënë Beka.

Tutje ai ka treguar së “nxënësit e lënduar i kemi dërguar për trajtim në spital dhe i kanë mobiluar me gjithqka institucionet shëndetësore dhe asnjë rast të hapur në polici nuk kemi”.

Ai ka treguar për masat që ka vendosur kjo shkollë të parë nëse përsëritet e njëjta situatë.

“Celularët, janë të ndaluar, nëse gjenden dërgohen në institucionet përkatëse, në rast se gjenden nxënësit duke e bërë lojën e rrezikshme në bashkëpunim me DKA-në do të transferohen në ndonjë shkollë tjetër në mënyrë që të bëhet ndërrimi i ambientit dhe shoqërisë ku në disa raste ndikon pozitivisht”- ka thënë për KALLXO.com drejtori Iset Beka.

Psikologia Burbuqe Mikullovci në një intervistë për KALLXO.com, ka theksuar se lojërat që qarkullojnë në platformën e “TikTok” kanë ndikim negativ për fëmijët.

Ajo ka shpjeguar se kjo lojë nxjerr në pah pasigurinë emocionale të fëmijëve.

“Këtu bëhet fjalë edhe për pasigurinë emocionale të fëmijëve të cilët nuk janë pjesë e këtyre lojërave, sepse ata që e luajnë këtë sfidë i paragjykojnë se “ata kanë frikë” apo nuk janë “cool” si këta të tjerët, prandaj fëmijët që nuk janë pjesë e këtyre grupeve kanë probleme me lidhje sociale sepse ndihen të margjinalizuar”- ka thënë Mikullovci.

Mikullovci ka shtuar se: “Nga njëra anë, disa nga këto lojëra mund të rrisin vetëbesimin dhe pasigurinë, duke stimuluar ndjenja të arritjes dhe të kënaqësis, por për fëmijët kjo gjë është e pa matshme dhe jo e pranueshme, sepse nuk dijnë ende t’i dallojnë disa gjëra të këtilla. Prandaj mendoj që duhet ndaluar kjo lojë dhe lojërat të cilat kanë një rrezikshmëri për ata”.

E pyetur se si mund të ndikojnë këto lojëra në zhvillimin e ndjenjës së agresivitetit ose të kompeticionit të tepruar pas pjesëmarrjes në to, ajo ka theksuar se ndikimi është i madh.

“Këto lojëra siç është “Superman Challenge” që kërkojnë veprime të rrezikshme dhe të guximshme, mund të përforcojnë një kulturë të konkurrencës ekstreme dhe të agresivitetit, ku fëmijët ndihen të detyruar të përmirësojnë performancën e tyre kohë pas kohe, kështu duke e dëmtuar edhe vetën apo të tjerët”- tha Mikullovci.

Psikologia Burbuqe Mikullovci ka theksuar për KALLXO.com se është e rëndësishme që gjithmonë të jemi pranë fëmijëve, për t’i ndihmuar ata të dallojnë mes gjërave pozitive dhe atyre negative.

Ajo theksoi se përmes udhëzimeve mund të bëhen të qarta pasojat e veprimeve të rrezikshme.

“Përmes udhëzimeve psikologjike, fizike dhe emocionale duke nxjerr kështu në pah pasojat që mund të sjellin veprimet e rrezikshme. Ne duhet t’i mësojmë fëmijët të kuptojnë më mirë rëndësinë e kujdesit të trupit dhe mendjes së tyre në radhë të parë, mirëqenies së tyre dhe të qëndrojnë larg aktiviteteve të cilat sjellin pasiguri dhe dëme të tjera tek ata”- theksoi Mikullovci

Prania e psikologut në shkolla sipas Mikullovcit është shumë e rëndësishme në ecurinë dhe dhënien e udhëzimeve që fëmijët të jenë më të sigurtë.

“Psikologët e shkollave, kujdestari i klasës, psikologët këshillimor por në veçanti prindërit, mendoj që duhet të punojnë në këtë drejtim, së bashku të mundohemi t’iu sqarojmë fëmijëve pasojat e mundshme që vijnë si pasojë e këtyre lojërave që çdo ditë po hasim nga një lojë të tillë, me efekte negative për fëmijët në veçanti”- ka përfunduar Mikullovci.

Ndërsa drejtori i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ismail Qemail- Model” në Mitrovicë të Jugut, Mustafë Kajtazi, ka treguar për KALLXO.com se në këtë shkollë nuk ka ndonjë rast.

“Në shkollën tonë nuk kemi asnjë rast të tillë, dhe çdo vendim tjetër e presim nga DKA-ja, edhe pse nuk kemi asnjë rast”- ka thënë Kajtazi.

Në anën tjetër, nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Mitrovicës së Jugut, thonë se shtatë nxënës kanë provuar sfidën e “Spiderman”.

“Informacionet tona mbështeten në të dhënat dhe raportimin e shkollave, se 7 nxënës e kanë provuar sfidën e “Spiderman”-it”- ka thënë për KALLXO.com, drejtoresha për Arsim në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Drita Kadriu.

Kadriu tha për KALLXO.com, se pavarësisht mungesës së psikologëve, mësimdhënësit dhe prindërit janë ata që ndihmojnë në zgjedhjen e problemit.

“Ne kemi mungesë të psikologëve por nuk kemi mungesë të mësimdhënësve që janë kujdestarë klase të cilët bashkë me prindërit janë hallka e parë e trajtimit të problemeve të nxënësve”- ka thënë Kadriu.

Ajo ka përfunduar se: “Kemi nxitur diskutime që duhet të bëhen në nivel klase me nxënësit udhëheqës të klasave, të cilët në disa raste na kanë deklaruar se hezitojnë t`i tregojnë mësimdhënësve sepse nxënësit i bullizojnë duke i quajtur ‘shpijun’”.

Ndërsa, nga Spitali Rajonal i Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, thonë se nuk është lajmëruar ndonjë rast me të lënduar prej lojës “Superman Challenge”.

KALLXO.com e ka pyetur Policinë e Kosovës, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Më 07.12.2024 KALLXO.com ka raportuar, se në shkollat e Komunës së Lipjanit janë raportuar pesë raste të nxënësve që janë vetëlënduar të nxitur nga një video (lojë) në “TikTok” e quajtur  “Sfida e Supermenit”.

Në një bisedë për KALLXO.com drejtori i Arsimit në Lipjan, Rasim Hasani tha se rastet kanë ndodhur në shkollë dhe nxënësit i kanë lënduar duart. Dy prej tyre janë vajza.

Prej pesë rasteve, me përjashtim të njërit rast, Hasani tha se nxënësit janë munduar t’i fshehin lëndimet.

Hasani nuk ishte në dijeni nëse këto raste janë raportuar në Policinë e Kosovës. KALLXO.com e ka pyetur Policinë e Kosovës, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Dy prej nxënësve në Lipjan që e kanë lënduar veten të nxitur nga një video (lojë) në “TikTok” janë mbi 15 vjeç, sipas Hasanit, kurse të tjerat raste janë nxënës të klasave 6, 7.

Në mesin e nxënësve, Hasani tha se është edhe një nxënës i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “17 Shkurti” në fshatin Gllogovc të Lipjanit, nga e cila shkollë në maj të këtij viti u raportuan tre nxënës se janë vetëlënduar të nxitur nga një video (lojë) tjetër në “TikTok”.

I pyetur se a kanë treguar nxënësit motivin e vetëlëndimit të tyre, Hasani tha se kanë qenë të shtyrë nga ‘sfida’ në “TikTok”.

Pas rreth dy ditësh prej që u raportua se disa nxënës në shkollat e komunës së Lipjanit e kanë lënduar veten të nxitur nga video (loja) në “TikTok” – “Sfida e Supermenit”, ka reaguar Ministria e Arsimit.

Sipas Ministrisë së Arsimit, të gjithë i kanë marrë me shqetësim rastet e lëndimeve të nxënësve si pasojë e përfshirjes në lojëra të rrezikshme online.

Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje komunave që t’i trajtojnë këto raste.

“Ftojmë të gjitha strukturat dhe mekanizmat e mbrojtjes, të themeluara në komuna sipas Ligjit për mbrojtje të fëmijës që të bashkëveprojnë me institucionet arsimore për t’i trajtuar këto raste me qasje ndërsektoriale sepse duhet vlerësuar rrethanat e përgjithshme dhe profilet e fëmijëve që ndikohet lehtë dhe përfshihen në rreziqe për vete dhe të tjerët” – thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit, më 07.12.2024.

Nga Ministria kanë bërë të ditur se kanë zhvilluar materiale didaktike për edukatorë, mësimdhënës dhe këshilla e udhëzime për nxënës e prindër, prandaj kërkojnë që rreziqet online dhe edukimi për përdorimin e sigurt e të dobishëm të internetit, të trajtohet me efikasitet në shkolla dhe shtëpi.

“Stafi ynë çdo ditë është duke mbajtur seanca nëpër komuna me staf të shkollave, prindër, nxënës dhe shërbime tjera për zbatimin e politikave të mbrojtjes së fëmijës, duke synuar rritjen e koordinimit institucional në të mirë të zhvillimit të fëmijëve tanë”– kanë njoftuar nga Ministria.

Ndërsa Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësimin për përhapjen e videos (lojës) së rrezikshme që po qarkullon në “TikTok” – “Sfida e Supermenit”, ku deri më tani janë raportuar disa raste të nxënësve që janë lënduar për shkak të përfshirjes në këtë lojë.

Përveç reagimit të tij, KOMF i ka rekomanduar nxënësve, prindërve e mësimdhënësve disa hapa se si të kenë kujdes ndaj kësaj situate.

“KOMF i drejtohet të gjithë nxënësve, kjo nuk është një “lojë” dhe nuk është as “sfidë”. Luajtja e kësaj loje, ju dëmton fizikisht dhe mund të keni pasoja për shëndetin tuaj” – thuhet në reagimin e KOMF, më 07.12.2024.

KOMF u ka bërë thirrje të gjithë nxënësve që t’i raportojnë tek prindërit apo mësimdhënësit nëse kanë informacione se shokët apo shoqet janë të përfshirë në këtë lojë.

“Vetëm kështu mund të ndihmoni vërtet shokët tuaj! Përfshihuni në lojra që ju ndihmojnë të rriteni të fortë e të shëndetshëm dhe qëndroni larg këtyre mashtrimeve”– kanë thënë nga KOMF.

Me këtë rast, KOMF u ka bërë thirrje prindërve që t’i monitorojnë fëmijët gjatë qëndrimi të tyre në internet dhe të flasin me fëmijët për “lojrat” apo “sfidat” e papërshtatshme, rreziqet dhe dëmet që sjellin ato.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, u ka bërë thirrje prindërve dhe personelit arsimor që të shtojnë kujdesin në përmbajtjen që fëmijet ndjekin, për shkak të, siç është thënë në njoftim, rritjes së numrit të fëmijëve të lënduar si pasojë e praktikimit të një loje të re që është shfaqur në platformën “TikTok”.

Sipas njoftimit, ditëve të fundit komuna është njoftuar për rritje të numrit të nxënësve të lënduar si pasojë e kësaj “sfide”.

“Loja quhet Sfida e Supermenit dhe përfshin hedhjen me njërën dorë përpara, duke imituar personazhin Superman. I bëjmë thirrje të gjithë prindërve: Kujdesuni për përmbajtjet që fëmijët ndjekin në platformat sociale dhe ndihmojini të kuptojnë pasojat e mundshme fizike dhe emocionale që mund të shkaktojnë këto lojëra”- thuhet në njoftim.