Sfida e transportit të pacientëve në dializë gjatë COVID-19

Me orar të zgjatur e me rrezik për infektim me coronavirus, Liridon Alija së bashku me ekipin e tij për tre muaj rresht gjatë pandemisë COVID-19 siguroi transportin për pacientët në dializë.

Alija rrëfeu se si e kishte përballuar situatën dhe si ishte menaxhuar gjendja dhe bartja e pacientëve në hemodializë.

Ai madje tregon se pesë pacientë kishin rezultuar pozitiv me coronavirus.

“Diku pesë pacientë kanë dalë pozitiv e kur e kemi marrë vesh për rastin e parë jemi ndi shumë keq. Kemi pasur persona që janë frikësuar por ata gjatë transportit kanë qëndruar në heshtje”, tregon Alija.

Alija i cili punon vozitës i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Prizrenit tregoi se një nga kolegët e tij kishte rezultuar pozitiv me coronavirus.

“Përpos një vozitës që ka rezultu pozitiv por e ka kaluar. Tetë vozitës të gjithë jemi testuar por kemi rezultuar negativ. Vozitësi i parë që ka dalë pozitiv ka shfaq simptoma, menjëherë pasi ka rezultuar ai pozitiv ne jemi testuar brenda pak ditësh”, shtoi ai.

Ani pse me një orar 16 orësh, bashkëbisedimin me pacientët nuk e ndal, madje Alija mundohet edhe të i mbaj në disponim të mirë.

“Në fillim kontaktin me pacientin e kemi ne sepse ne nuk e dimë a janë pozitiv apo janë testu. Ne jemi kontakti i parë pasi që i dërgojmë në spital e pastaj është ajo brenga nëse del pozitiv mund të mendojmë që e ka bartë por edhe ajo është brenga por është tejkaluar edhe ajo”, tregon Alija.

Alija tregon edhe një reagim interesant që kishte marrë nga bashkëshortja e tij.

“Reagimet më interesante sidomos nga bashkëshortja ka qenë, nëse del pozitiv mos hajde në banesë, faktikisht flej në kombi apo diku tjetër por fatmirësisht kam rezultuar negativ dhe këto i kemi kaluar”, shton Alija.

Edhe pse me orar të gjatë, e me pacientë gjatë gjithë kohës, Alija nuk harron që gjatë ditës të ndajë edhe disa minuta për vajzën e tij të cilën e telefonon.

Ai tregon se para se të testohej për COVID-19 nuk kishte përqafuar familjen e tij.

“Në fillim as nuk i kam përqaf as fëmijët deri sa nuk jam testuar, ndërsa tani normalisht kur e heq kostumin e punës dezinfektohem e më pas përqafoj familjen”, shton ai.

Aliaj i cili brenda ditës transporton pacientë për në QKMF në hemodializë, kujdeset që të dezinfektoj dhe pastroj mjetin me të cilin bart pacientët.

“Edhe ne e konsiderojmë veten hero sepse edhe ne kemi qenë në betejën e parë, kemi pasur kontakt me pacientët konsideroj se edhe ne jemi pjesë e heroizmit”, shton ai.

Pacientët në dializë konsiderohen njëra nga kategoritë më të rrezikuara nga infektimi me coronavirus. Të gjithë pacientët me dializë duhet që tri herë në javë të qëndrojnë në makineri për të pastruar gjakun.

Gjatë kohës së pandemisë mbi 10 pacientë nga Komuna e Prizrenit u prekën me virusin COVID-19 e shoferët e pacientëve kishin barrë të rendë për të organizuar transportin.