Sfida e anëtarit të komunitetit ashkali: Nuk po bëhem polic i Kosovës për shkak të ngjyrës time

Sonte në pjesën e dytë të emisionit “Jeta në Kosovë” është duke u debatuar  rreth asaj se a ka racizëm në Kosovë.

Ramadush Limani, qytetar i komunitetit ashkali, ka treguar në emisionin “Jeta në Kosovë” se që 5 vite është duke tentuar të bëhet polic i Kosovës.

Ai thotë se për shkak të ngjyrës së tij po i pamundësohet një gjë e tillë.

“Kam aplikuar në vitin 2013  me u bë zyrtar i Policisë, në mesin e 20 mijë që kemi aplikuar, kam hyrë në listën e  ngushtë, e kam kaluar testin me shkrim, fizik dhe të inteligjencës, mirëpo jam  në listën e pritjes, kjo thotë që nëse brenda dy viteve ka pasur nevojë me na ftu, nëse jo atëherë rishpallet prapë konkursi. Unë nuk jam ftuar”, ka thënë Limani.

Tutje ai ka thënë se përsëri në vitin 2018 ka konkurruar por prapë ka mbetur në listën e pritjes.

“Pastaj më 2018, prapë kam aplikuar për me qenë polic, prej 17 mijë e 600 aplikantëve, prapë kam qenë në listën e ngushtë, i kam kaluar të tri fazat e para, por prapë jam në listën e pritjes që ma pamundëson që të jem në shërbim të popullit të Kosovës, të komunitetit tim”, tha më tej Limani.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës, në një përgjigjet për emisionin “Jeta në Kosovë” ka sqaruar këtë çështje.

“Kandidati në fjalë (i potencuar nga ana e juaj) ka aplikuar në konkursin e shpallur për zyrtar policor në vitin 2014, ka qenë i renditur në listën meritore me nr, rendor 1055 me  79.86 poenë, por që brenda afatit dy vjeçar nuk ka mbërri me u ftuar për fillim të trajnimit themelor për polic pasi që në konkursin e vitit 2014 gjithsej kanë shkuar dy gjenerata e (52-ta) dhe (53-ta) (nga lista meritore kandidatët kane shkuar nga 01 deri te nr, rendor 600), ku lista ka qenë e publikuar me datën 01.10.2014 dhe ka qenë aktive për dy vite”, ka bërë të ditur, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“I njëjti ka aplikuar edhe në konkursin e shpallur në vitin 2018 dhe është i renditur me nr, rendor 1732 me 77.47 poena dhe lista meritore e konkursit për zyrtar policor i shpallur gjate vitit  2018 është publikuar me datën 13.11.2018 dhe është aktive për dy vite”, ka thënë më tej Kelani.