Seuli mbyll lokalet e natës nga frika e një vale të re të kontaminimit me COVID-19

Komuna e Seulit ka urdhëruar mbylljen e bareve dhe diskotekave të kryeqytetit për shkak të shfaqjes së një vatre të re të kontaminimit, e cila ka ngjallur frikë për një shpërthim të ri të epidemisë së coronavirusit.

Presidenti jugkorean, Moon Jae-in, i ka bërë thirrje popullatës për më shumë vigjilencë ndërkohë që vendi, një prej vatrave më të mëdha të kontaminimit në botë në muajin shkurt, kishte ngjallur admirim në vendet e jashtme për rezultatet në luftën kundër COVID-19, raporton AFP.

Më shumë se njëzet raste të reja të kontaminimit janë zbuluar pasi një burrë 29-vjeçar u testua pozitiv pasi kishte frekuentuar pesë klube dhe bare vikendin e kaluar në Itaewon, një nga lagjet e Seulit.

Autoritetet shëndetësore druajnë për një shpërthim të kontaminimeve pasi që vlerësohet se 7,200 persona kanë frekuentuar pesë lokalet e natës, raporton AFP.

“Neglizhenca mund të rezultojë me një shpërthim të infeksioneve”, ka deklaruar prefekti i Seulit, Park Won-soon, duke theksuar se mbyllja do të vazhdojë deri në një urdhër tjetër.

Ai u ka kërkuar personave që kanë frekuentuar lokalet në fjalë që të paraqiten për kontrolle.

Nga 18 rastet e testuara pozitive të shtunën, 17 ndërlidheshin me vatrën në Itaewon.