Serwer i bën thirrje Presidentit për të mos nënshkruar 'marrëveshjen e keqe me Serbinë'

Daniel Serwer, ish- këshilltar i Hashim Thaçit i ka bërë sërish thirrje atij që të mos nënshkruajë një marrëveshje të keqe me Serbinë.

Serwer që është edhe dhe udhëheqësi i programit për menaxhimin e konflikteve në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins” ka folur në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” lidhur me presionin amerikan për marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës dhe rrezikun për ndarjen e Kosovës me këtë marrëveshje.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë me Daniel Serwer:

Jeta Xharra: Zoti Serwer, gjatë dy javëve të fundit, zoti Byrnes dhe ju keni publikuar pikëvështrime interesante në Peacefare. Në artikullin e fundit që e keni publikuar dje, ju i keni shkruar një letër Hashim Thaçit me pretendimet që drafti i marrëveshjes që është përgatitur në Amerikë, është një marrëveshje e keqe. A mund të na tregoni pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje, prej asaj që ju dini rreth saj?

Daniel Serwer: Ajo çka ne dimë është prej njerëzve në Prishtinë dhe në Beograd, dhe kjo duket si një marrëveshje për shkëmbim territoresh, si një marrëveshje që nuk do të sjellë anëtarësimin në OKB dhe që do t’i ofronte Asociacionit të Komunave Serbe më shumë se ajo që ka thanë Gjykata Kushtetuese që është e lejueshme. Pra, në aspekt të asaj se sa afër janë palët për arritjen e marrëveshjes është ende e dyshimtë, por Shaun dhe unë kemi menduar që ka mjaftueshëm tym prandaj kemi vendosur që është më mirë që zjarri të fiket më herët se sa më vonë.

Jeta Xharra: Pyetja e parë është, a i keni ju këto informacione edhe nga burimet në Uashington apo vetëm nga burimet në Prishtinë dhe në Beograd?

Daniel Serwer: Unë do të preferoja që mos të lëshohem në detaje të burimeve dhe hulumtimit, por mendoj që është shumë e qartë që edhe para se të flasim me njerëz që në Uashington, në mesin e disa personave atje, ka një dëshirë që të përdoret presion ekstrem ndaj Kosovës, që ajo të arrijë marrëveshje për diçka me Serbinë. E Serbia në anën tjetër e ka bërë të qartë që kjo “diçka” duhet të përfshijë territore.

Jeta Xharra: A mendoni ju që heqja e tarifës është absolutisht e nevojshme për të arritur në atë pikë, pra a është rekomandimi juaj që Kosova të heqë tarifat që u ka vënë produkteve që vijnë nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina apo jo?

Daniel Serwer: Për mua, çështja e tarifës është çështje e ndarë nga marrëveshja finale me Serbinë. Për mendimin tim, tarifat kanë qenë një ide për të ndaluar kampanjën për tërheqjen e njohjeve, dhe kjo i ka paraprirë vendosjes së tarifave. Së paku kështu ka thënë ish-kryeministri Haradinaj që kjo ka qenë arsyeja kur e ka vendosur. Unë mendoj që ky ka qenë një qëllim që ia ka vlejtur dhe mendoj që skema që e ka propozuar Albini (Kurti) e që ka qenë pezullimi i tarifës në shkëmbim të ndaljes së fushatës për heqjen e njohjeve ka qenë një ide e mirë. Megjithatë, amerikanët e në veçanti (Richard) Grenell, e kanë bërë të qartë që ai dëshiron heqje të njëanshme të tarifës dhe mendoj që kjo është një ide shumë e keqe.

Jeta Xharra: Daniel, ju si një mik i Kosovës, a mendoni që Kosova do të vepronte mirë apo keq nëse heq tarifën bazuar në kërkesën e Grenellit.

Daniel Serwer: Siç e shoh unë, kjo do të ishte e njëanshme dhe pa asnjë veprim reciprok nga ana e Serbisë, ndoshta juve do të ju duhet ta bëni këtë për shkak të presionit të madh, por kjo është një marrëveshje e keqe.

Jeta Xharra: A mendoni që nëse Kosova e heq tarifën, kjo do ta hapte rrugën për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të keqe nga Presidenti. A do të jetë kjo një mundësi për Presidentin që ta nënshkruajë marrëveshjen e keqe?

Daniel Serwer: Unë me të vërtetë nuk e di nëse çështja e tarifës është e lidhur kaq ngushtë me nënshkrimin e marrëveshjes por për mua është një sugjerim i pabesueshëm që Presidenti do të mund të nënshkruante një marrëveshje nëse ajo është ashtu siç na kanë thënë neve, e pa marrë aprovimin e Kuvendit apo të qytetarëve. Është shumë e qartë që qytetarët e Kosovës nuk duan që territori dhe njerëzit të shkëmbehen me Serbinë, dhe mendoj që as qytetarët e Serbisë nuk e duan këtë. Nuk e kuptoj pse do të pajtohej ndokush me këtë ide.

Jeta Xharra: Ju thatë një gjë interesante në fillim, që kjo marrëveshje e keqe nënkupton që do të ketë shkëmbim të territoreve, do të ketë Asociacion të Komunave Serbe, por nuk do të ketë edhe anëtarësi në Kombet e Bashkuara…

Daniel Serwer: Kështu e kemi kuptuar ne atë se çfarë përmban marrëveshja.

Jeta Xharra: Po çka fitojmë ne aty atëherë?

Daniel Serwer: Epo, unë veç ju thashë që është kjo është një marrëveshje e keqe. Anëtarësimi në OKB nuk varet ekskluzivisht nga Serbia. Serbia do të mund të largonte bllokadën e saj për anëtarësim në OKB, por rusët ende do ta bllokonin, ngase rusët do të duan të bëjnë një marrëveshje me amerikanët në mënyrë që Kosova ta fitojë anëtarësimin në OKB. Prandaj, në këtë fazë, unë nuk shoh se si do të mund të zgjidhej kjo pa pasur një marrëveshje në mes të Moskës dhe Uashingtonit.

Jeta Xharra: Palët që nuk po e heqin tarifën, si Vetëvendosje dhe Kurti, po fajësohen nga LDK-ja që po mundohet ta rrëzojë këtë qeveri, duke i quajtur ata “anti-amerikanë” dhe që ne nuk e kemi luksin të sillemi si anti-amerikanë. Çka do t’i thoshit ju kësaj si një amerikan? Ju si amerikan po thoni që Kosova nuk duhet të largojë njëanshëm tarifat?

 

Daniel Serwer : Nuk mendoj që është anti-amerikane, kjo mund të jetë kundër administratës së Trumpit, mund të jetë anti-Grenell, por fakti është që..

Jeta Xharra: A është Grenelli Amerika? A janë Grenelli dhe Trumpi, Amerika?

Daniel Serwer: Ata janë qeveria aktuale e Amerikës, dhe ju duhet të merreni me këtë fakt. Por ata nuk janë Amerika, ngase Amerika më përfshin edhe mua, dhe unë mendoj që jam shumë më miqësor ndaj Kosovës se sa që është Grenelli. Në fakt, unë mendoj që një pjesë e mesazhit tim për Presidentin Thaçi është që Grenelli nuk është mik i Kosovës dhe që ai tani ka kaluar plotësisht në anën e Serbisë sa i përket çështjes së tarifave. Propozimi fillestar i amerikanëve për tarifat ka qenë identik me propozimin e Ramushit (Haradinajt), ka qenë pra shkëmbimi i heqjes së tarifës me ndalimin e fushatës për tërheqjen e njohjeve për Kosovën dhe mendoj që kjo ka qenë kërkesa e duhur.

Jeta Xharra: Ju thatë diçka shumë të ashpër, që Grenelli po e mbanë anën e Serbisë. Pse po ndodh kjo?

Daniel Serwer: Është shumë e vështirë të thuhet se pse një person i caktuar bënë diçka, mirëpo është fakt i ditur që ka lobistë pro-serbë që janë shumë aktivë në ShBA aktualisht dhe po ashtu fakti që kjo është një administratë amerikane etno-nacionaliste, e cila nuk do të mbrojë demokracinë liberale dhe që deri tani nuk e ka mbrojtur demokracinë liberale në mënyrën si e kanë bërë administratat amerikane të udhëhequra nga Obama, George W. Bush apo Klintoni.

Këta janë njerëz që kur t’i takosh dhe t’u thuash që serbët duhet të udhëheqin me serbët dhe shqiptarët duhet të udhëheqin shqiptarët, ata nuk e shohin ndonjë alternative tjetër serioze rreth kësaj çështjeje, dhe ky është një qëndrim etno-nacionalist që është në përputhje me ndjenjat e tyre për sentimentet e nacionalistëve të bardhë.

Jeta Xharra: Shaun Byrnes që ka publikuar një opinion në Peacefare dje, një diplomat i kamotshëm që nga viti 1998 në Kosovë, ju që jeni një mik i moçëm i Kosovës, kjo qeveri ka përfillur qëndrimet apo këshillat që ju të dy i keni publikuar, por në fund të ditës, ne sot kemi një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, e cila me shumë gjasë do të rrëzohet dhe jeta e saj nuk do të jetë aq e gjatë. Pse mendoni që kemi arritur në këtë pikë dhe si të dalim nga këtu? A keni ndonjë këshillë si të dalim nga kjo situatë, ngase kjo Qeveri ka bërë pikërisht atë ju keni kërkuar, si të pasurit kujdes për kërkesat aktuale të ShBA-ve?

Daniel Serwer: Nuk mendoj se qeveria bëri atë që bëri për shkak se unë kërkova ta bënin. Ata e bënë sepse donin.

Në sisteme parlamentare qeveritë rrëzohen e qeveritë janë rrëzuar edhe më parë në Kosovë. Kjo është pjesë e lojës. Një gjë për të cilën duhet të jeni shumë të kujdesshëm është që ta mbani koalicionin të bashkuar, cilado që të jetë arsyeja ngase unë nuk pretendoj se i di. LDK duket se është e gatshme të braktisë shumicën e koalicionit. Është lloj enigme për mua, disa thonë se koalicioni i UÇK-së do të rikthehet sërish. E dini se koalicioni i UÇK-së nuk e përfshin edhe LDK-në. LDK-ja duhet të dojë të marrë më shumë se sa rikthimin e koalicionit të UÇK-së në pushtet në mënyrë që ta arsyetojë atë që po e bën.

Jeta Xharra: Si e komentoni faktin e LDK-ja është duke e rrëzuar këtë qeveri, më së shumti për shkak të tarifës?

Daniel Serwer: Unë mendoj se është fatkeqe, mendoj se po bëhet për shkak të presionit të madh të Amerikës, kërcënimet me tërheqjen e trupave amerikane, kërcënimet të tërheqin asistencën Amerikanë. Por, kjo duhet t’ju thotë juve diçka, kjo administratë nuk është miqësore me Kosovën. Kjo administratë amerikane nuk është mike e Kosovës. Në fakt Kosova është produkt i administratës së Klintonit, siç është edhe Bosnja e Hercegovina. Besoj e dini se si Presidenti Trump ndihet ndaj Klintonit dhe Obamës të cilët janë përkrahës të mëdhenj të Kosovës. Ju tani po përballeni me pasojën e varësisë tuaj të madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sinqerisht unë ju kam inkurajuar dhe kërkuar që ta diversifikoni mbështetjen tuaj diplomatike për një kohë të gjatë tani dhe shumë kosovarë më kanë thënë se ata nuk duan ta bëjnë atë. Por, unë mendoj se ky është një ilustrim shumë i mirë se përse ju jeni dashur të diversifikoni përkrahjen tuaj diplomatike.

Jeta Xharra: A i besoni disa teorive që qarkullojnë në Prishtinë dhe qarqet ndërkombëtare se administrata e SHBA-së do të preferonin që Kurti mos të udhëhiqte Qeverinë, ngase ai në një mënyrë po bllokon rrugën drejt një marrëveshjeje të keqe?

Daniel Serwer: Unë nuk mund t’ju them se çfarë mendojnë administrata aktuale për Albin Kurtin, në kohët e fundit e kam parë atë si një kandidat të arsyeshëm që mund të qeverisë, por ai duhet mbajtur mend se ka një koalicion që duhet ta mbajë të bashkuar, e që po dëshmohet që kjo është diçka të cilën ai nuk mund ta bëjë. Nuk mendoj se kjo është çështje e mbyllur, ju mund të shkoni drejt zgjedhjeve të reja, mund të shkoni drejt disa kthesave në politikë, në një periudhë shumë sfiduese ku virusi COVID – 19 është sfidë shumë e madhe dhe qartë Presidenti do ta përdorë atë si mjet për të fituar kontroll më të madh.

—-

Jeta Xharra: Ju keni qenë i afërt edhe me Presidentin tonë, ju i drejtoheni me “I Dashur Hashim” në letrën e tij ku i kërkoni që mos të nënshkruar një marrëveshje të keqe dhe që mos të shtyjë përpara një marrëveshje të tillë. Pse mendoni që ai do të nënshkruante një marrëveshje kaq të keqe. Çfarë fshihet prapa saj?

Daniel Serwer: Ka shumë teori rreth kësaj çështjeje, dhe nuk e di përgjigjen e plotë të kësaj pyetje. Nëse mund ta përshkruaj kështu, edhe Presidenti juaj është një etno-nacionalist, dhe ndoshta edhe ai dëshiron që të qeverisë vetëm me shqiptarët e mos të mërzitet për qeverisjen e popullatës serbe, dhe mendoj që ka ndikim të madh që vjen nga Tirana, e sipas bisedave që kam pasur me Edi Ramën për këtë temë, ai është përkrahës i fortë i idesë për shkëmbim të territoreve, dhe ka edhe të tjerë që më tregojnë gjëra të tjera, për shembull edhe çështje që kanë të bëjnë me Dhomat e Specializuara në Hagë, dhe çështja e mbrojtjes së vetes prej tyre. Nuk e di sa të vërteta janë këto thashetheme..

Jeta Xharra: Ju e keni marrë një përgjigje Hashimi juaj i dashur, që jo tani, por në të kaluarën ka thënë që ju shpërndani lajme të rrejshme, dhe që kjo sipas tij nuk është marrëveshje aq e keqe.

Daniel Serwer: Ai e ka mundësinë ta dëshmojë këtë tani, ngase ky nuk ka qenë proces i hapur e transparent siç pretendon ai, por tani ai e ka mundësinë që ta vendosë këtë marrëveshje para popullit të Kosovës, jo para meje se, në fund të fundit, kush jam unë, por para popullit të Kosovës.

Jeta Xharra: Në letrën tuaj, ju i keni kërkuar atij që ta sjellë marrëveshjen në parlament?

Daniel Serwer: Po, mendoj që marrëveshja aty e ka vendin. Unë mendoj që udhëheqja e dialogut duhet bërë nga Kryeministri siç e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi i Kosovës, mirëpo së paku ai duhet ta sjellë këtë marrëveshje në Kuvend dhe t’ia tregojë atë popullit të Kosovës.

Jeta Xharra: Si po mendoni, para se ta nënshkruajë a pas nënshkrimit?

Daniel Serwer: Para, para, para. Në fakt mendoj që siç ka thënë edhe ai vetë, por edhe Vuçiqi, kjo është një çështje kërkon referendum dhe nuk shoh asnjë arsye se pse kjo marrëveshje do të duhej bërë pa dëgjuar se çka mendojnë qytetarët e Kosovës.

Jeta Xharra: Z. Serwer, ju faleminderit për intervistën.

Serwer: Jeni të mirëseardhur.