Ilustrim

Sërish zgjedhje sivjet, KQZ nis procedurat tenderuese

Jo larg zgjedhjeve të datës 14 shkurt 2021, për Kuvendin e Kosovës, sivjet, qytetarët e vendit pritet edhe njëherë t’u drejtohen kutive të votimit. Kësaj here për zgjedhje lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e hershme.

Institucioni i zgjedhjeve në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka publikuar thirrjen për kontratë për shtypjen e fletëvotimeve dhe broshurave për zgjedhjet lokale 2021.

Për shtypjen e tyre, KQZ ka parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 315,000 eurosh.

Në këtë tender, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përdori procedurën e hapur të prokurimit me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

KQZ ka caktuar datën 5 korrik 2021 deri kur mund t’i dorëzojnë ofertat kompanitë e interesuara për këtë tender.

Për shtypjen e fletëvotimeve dhe broshurave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura tre muaj më parë, KQZ kontratë ia kishte dhënë grupit të operatorëve ekonomik “Cetis d.d; CETKOS L.L.C.”, nga Sllovenia, me vlerë të përgjithshme të kontratës 184,081.00 euro.

Ndryshe nga tenderi i shpallur së fundmi, KQZ për zgjedhjet parlamentare, kishte përdor procedurën e negociuar pa publikimin të njoftimit.

KALLXO.com raportoi se për zgjedhjet e datës 14 shkurt 2021, KQZ kishte bërë gati për votime 888 qendra në tërë territorin e Kosovës.

listë që kishte publikuar KQZ, u evidentuan objektet shkollore dhe objekte tjera ku votuesit mund t’u drejtoheshin për votim.

Komuna me numrin më të madh të qendrave të votimit sipas asaj liste, është komuna e Prizrenit me gjithsej 71 qendra votimi, pastaj renditet e dyta kryeqyteti Kosovës, Prishtina, me gjithsej 52 qendra votimi, me numër pothuajse të ngjashëm janë komunat Podujevë dhe Ferizaj me 45 respektivisht 44 qendra votimi.

Për më shumë lidhur me zgjedhjet në Kosovë kliko këtu