Sërish suspendime në Komunën e qeverisur nga Haskuka

Kaos në Komunën e Prizrenit, suspendime dhe alarm për shkarkime të drejtorëve

Në dy vite qeverisje në Komunën e Prizrenit, drejtoritë e Komunës kanë qenë sfidë për kryetarin Mytaher Haskuka.

Dorëheqje, shkarkime e aktakuza për keqpërdorime të detyrës zyrtare ndaj drejtorëve të Komunës kanë karakterizuar dy vitet e para të qeverisjes së Haskukës.

Duket që kryetari Haskuka ende nuk e ka gjetur rrugën për të menaxhuar me drejtoritë e Komunës së Prizrenit.

Burime të Kallxo.com bëjnë me dije se kryetari Haskuka ka suspenduar nga detyra udhëheqësin e zyrës ligjore Arben Krasniqi, i cili është nën procedurë të hetimeve nga Prokuroria e Prizrenit.

Këtë e ka konfirmuar edhe Haskuka i cili shkurtimisht tha që po ka marrë vendim për suspendimin e udhëheqësit të zyrës ligjore por pa cekur për cilat arsye është suspenduar zyrtari Krasniqi, dhe a ndërlidhet suspendimi i tij me procedurat hetimore apo arsye tjera.

Kallxo.com mëson se “shënjestër” e shkarkimeve do të jenë edhe Drejtorë të caktuar, kryesisht nën dyshimet për keq menaxhim me kontrata dhe tenderë.

Aktakuza ndaj Drejtorëve të Komunës dhe përballje me Prokurorinë dhe Gjykatat kanë filluar të bëhen të zakonshme për qeverisjen e kryetari Haskuka në Prizren.

Levent Kasëmi, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Fejzë Kabashi, drejtor i Mirëqenies Sociale, aktualisht po përballen me akuzat e Prokurorisë, për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërsa Islam Thaqi, drejtor i Inspektoratit bashkë me pesë zyrtarë tjerë po përballen me akuzat e Prokurorisë për çështjen e shumëpërfolur të ‘Abi Çarshisë’.

Këta drejtorë vazhdojnë të mbajnë detyrat e tyre, ndërsa drejtorë tjerë me aktakuza kanë ofruar dorëheqje apo “janë liruar nga detyra“ nga Kryetari Haskuka.

Ish drejtori i Financave Ertan Simitçi kishte dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa pas tij edhe Drejtori Refik Shaqiri kishte dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës.

Mbetet e paqartë se çfarë do të ndodh me tre drejtoritë që udhëhiqen nga LDK, pasi ditë më parë Haskuka i dha fund koalicionit me LDK, pak minuta pasi opozita i rrëmbeu pozitën e kryesuesit të Asamblesë Komunale si pasojë e mos marrëveshjes ndërmjet partnerëve ët koalicionit.

Deri më sot nuk është bërë e ditur fati i koalicionit Vetëvendosje LDK në Komunën e Prizrenit pasi që këto dy subjekte nuk ka dhënë një konfirmim përfundimtar se a janë ende në koalicion apo jo, pasi që drejtorët e LDK-së vazhdojnë të jenë në detyrë nën drejtimin e Haskukës.