Seanca gjyqësore, Foto: KALLXO.com

Sërish përjashtohet publiku në rastin e dy të akuzuarve për vrasje të rëndë

Është përjashtuar sërish publiku në rastin e Besnik Shkodra, i akuzuar për vrasje të rëndë dhe Baki Shkodriqi për shtytje të vrasjes.

Kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti njoftoi publikun se seanca është e mbyllur edhe këtë herë.

Kujtojmë që seancën e fundit përfaqësuesja e të dëmtuarës S.Sh. avokatja Arbenita Aliu ka kërkuar të përjashtohet publiku nga seanca për shkak të ndjeshmërisë së rasit.

Prokuroria e Prishtinës në muajin shtator të vitit 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Besnik Shkodrës dhe Baki Shkodriqit për vrasjen e rëndë të A.J.

Sipas aktakuzës, Besnik Shkodra kishte pasur mosmarrëveshje të mëhershme me tani të ndjerin.

Dosja e Prokurorisë thotë se Besnik Shkodra, në ditën kritike, për një kohë të shkurtë, e kishte vëzhguar nga makina e tij të ndjerin A.J., i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte i akuzuari.

Tutje, sipas Prokurorisë, i akuzuari me të afruar kishte shtënë me armë drejt viktimës, i cili gjendej në veturë ashtu që pas të shtënave viktima del nga vetura dhe i akuzuari vazhdon me të shtëna drejt tij.

Në këtë mënyrë A.J. është rrëzuar në tokë dhe nga plagët e marra kishte vdekur në vend të ngjarjes.

Si shtytës të kësaj vrasjeje Prokuroria e akuzon babanë e Besnikut, Baki Shkodriqin.

Në aktakuzë thuhet se Baki Shkodriqi para vrasjes i kishte dërguar “sms”të birit duke i thënë “a e mbushe?” ndërsa pak minuta pas vrasjes Besnik Shkodra i kishte dërguar “sms” babait të tij “e kryet”.

Besnik Shkodra në këtë rast po ashtu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.