Gjykimi i Senad Ramës, i akuzuar për keqpërdorim detyre. FOTO- Fitim Limani/ KALLXO.com

Sërish para gjykatës i akuzuari se pa vlerësim shiti për hekur automjetet e kompanisë

Senad Rama, ish-anëtar i Bordit të Drejtorëve të kompanisë “Eco Hixhiena”, ka dalë sot sërish para gjykatës nën akuzën për keqpërdorim detyre.

Rama, sipas prokurorisë ka shitur për mbeturina hekuri shtatë automjete dhe kontejnerë, pronë e kësaj kompanie, në shumën prej 16 mijë e 249 euro.

Aktakuza thotë se këto asete janë shitur pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës së tyre reale, ndërsa shitja e tyre e kishte dëmtuar kompaninë për 64 mijë e 327 euro.

Shqyrtimi i sotëm nisi nga fillimi pasi që nga fillimi i tij e deri tani kishin kaluar më shumë se 3 muaj për shkak të pandemisë COVID-19.

Tutje në seancë u dëgjua dëshmitari Fidan Hasani anëtar i bordit në kompaninë “Eco Hixhiena”, në Gjilan, i cili tha se mbledhje të bordit të drejtorëve kanë mbajtur mjaft shpesh por nuk i kujtohet saktë sa takime kanë pasur.

“Në e-mailin tim nuk ka mundur të jep përgjigje tjetërkush në emër timin. Nuk më kujtohet nëse është mbajtur mbledhja e bordit të drejtorëve”, tha dëshmitari Hasani duke aluduar në mbledhjen nga ku pretendohet se  i akuzuari se i ka shitur asetet e kompanisë “Eco Hixhiena”.

Tutje në seancë u dëgjuan edhe tre dëshmitarë të cilët pas pyetjeve të parashtruara deklaruan se mbesin pranë deklaratave të dhëna në shqyrtimin e kaluar.

Kujtojmë se Gjykata e Gjilanit, më 15 nëntor 2018, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza Senad Ramën, por Gjykata e Apelit në maj të vitit 2019 e kishte kthyer këtë rast në rigjykim pas ankesës së Prokurorisë.

Seanca e sotme do të vazhdojë më 4 nëntor

Dëshmi të reja në rigjykimin për automjetet e kompanisë të shitura për hekur në Gjilan