Foto arkiv nga seanca e datës 23.7.2024.

Sërish dështon seanca ndaj policit të akuzuar për ryshfet për t`i mbyllur hetimet për lojëra të fatit

Ka dështuar sërish seanca ndaj Ilir Sadriajt, Shefqet Zogajt dhe Behar Millakut.

Prokuroria e akuzon Ilir Sadriajn, Shefqet Zogajn për veprën penale ushtrim ndikimi, ndërsa Behar Millakun e akuzon për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Shkak për dështimin e seancës së datës 26.11.2024 ishte mungesa e të akuzuarit Behar Millaku dhe avokatit të tij Haxhi Millaku dhe të dëmtuarit Skënder Feta.

Lidhur me mungesën e Behar Millakut, kryetari i trupit gjykues, Ertan Sejfulla bëri të ditur se avokati i tij ka dërguar një parashtresë.

“Përmes parashtresës ka treguar se i mbrojturi i tij e ka të pamundur prezencën në seancën e sotme për shkak të caktimit të kontrolleve sistematike mjekësore që i janë caktuar më parë nga Drejtoria e Policisë për Shërbime Mjekësore… kontrollet janë cilësuar si kontrolle të domosdoshme”- deklaroi gjyqtari Ertan Sejfulla.

Ai më tej përmendi se mbi bazën e të lartcekurave, avokati Haxhi Millaku ka kërkuar shtyerjen e seancës duke bashkangjitur në kërkesë edhe provat e dokumentacionit mjekësor.

Në këtë seancë nuk u paraqit as i dëmtuari Skënder Feta.

Kryetari i trupit gjykues konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për mbajtjen e seancës dhe seanca e radhës u caktua për datën 22.01.2025.

Të pranishëm në seancë ishin prokurorja e rastin Dulina Hamiti, i akuzuari Shefqet Zogaj me mbrojtësen e tij, avokaten Aurora Mulhaxha, si dhe i akuzuari Ilir Sadriaj me mbrojtësen e tij sipas autorizimit, avokaten Kosovare Kelmendi.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues në përbërje nga Ertan Sejfullahu – kryetar, anëtarët Fatime Dërmaku dhe Naser Foniqi.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë ?

Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit Ilir Sadriaj dhe Shefqet Zogaj dhe polici Behar Millaku, kanë kërkuar dhe pranuar para nga i dëmtuari Skender Fetaj, pronar i kompanisë “EGTII Sh.p.k.”.

Aktakuza sqaron se Millaku ishte duke drejtuar një hetim ndaj kompanisë së lojërave të fatit.

Më tej, aktakuza thotë se puna e parë që Iliri dhe Shefqeti kishin bërë ishte që ta njoftonin pronarin e kompanisë se ata dinin çdo gjë për hetimin dhe se e njihnin për së afërmi policin që po drejtonte hetimet.

Për ta realizuar këtë, Shefqet Zogaj ishte informuar nga i akuzuari Behar Millaku për rrjedhën e hetimeve, ndërsa informatat ishin bartur tek Ilir Sadriaj. Aktakuza pretendon se tërë ky aktivitet ishte bërë me qëllim që të dëmtuarit Fetaj t’i merreshin para, të cilat më pas do dërgoheshin edhe te polici Millaku.

Aktakuza shpjegon edhe momentet kur një shumë parash ishte dorëzuar te grupi.

Ilir Sadriaj kishte kërkuar nga Avdi Qerimi, ish-punëtor në “EGTII Sh.p.k.” shumën prej 4 mijë euro.

Në këtë pikë pronari kishte njoftuar Policinë ndërsa e kishte autorizuar një punonjës tjetër të dorëzonte paratë te personi që i kërkonte.

Këto të holla, gjithnjë sipas aktakuzës, Avdi Qerimi ia ka dhënë të pandehurit Ilir Sadriaj më 10 janar të vitit 2017 te pompa e derivateve “NN” në Pejë.

Pas dorëzimit të kësaj shume, Iliri ishte takuar sërish me punëtorin Avdi Qerimi dhe kishte kërkuar aranzhimin e një takimi me pronarin e kompanisë, Skender Fetaj.

Takimi pretendohet të ketë ndodhur më 18 janar të vitit 2017 në një restorant në qytetin e Podgoricës, në Mal të Zi, ku pjesëmarrës ishin Sadriaj dhe i dëmtuari Fetaj.

Në këtë takim Prokuroria pretendon se i akuzuari Sadriaj i kishte thënë të dëmtuarit Fetaj se fillimisht duhet t’i japë 30,000 euro për udhëheqësin e hetimit Behar Millaku, për t’i krijuar lehtësira gjatë hetimit, për t’ia shpëtuar asetet e sekuestruara nga ana e Policisë.

Kërkesat për mito, sipas aktakuzës, nuk ishin ndalur.

Dy ndërmjetësuesit ishin kujdesur që në takime ta paralajmëronin biznesmenin se polici nuk guxonte të takohej me ta.

Për më shumë informata rreth këtij rasti klikoni – LINK.