Sërish dështon seanca ndaj ish-komandantit të stacionit policor në Gjakovë dhe kolegëve të tij

Nuk ka arritur të mbahet seanca ndaj Kristë Gjokajt, major në Policinë e Gjakovës dhe ish- komandant i Stacionit të Policisë në Gjakovë, Bekim Preqit, kapiten, si dhe zyrtarëve policorë, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj, të cilët akuzohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe Shaban Limanaj i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këto vepra sipas Prokurorisë, përfshijnë rrahje me grushte të një personi të arrestuar, që ishte i prangosur brenda Stacionit të Policisë në Gjakovë.

Por, seanca e sotme e planifikuar të mbahet në Gjykatën e Gjilanit ndaj tyre dështoi, pasi në seancë ka munguar i akuzuari Milot Ukaj.

“Njoftohen palët se përmes avokatit Ymer Huruglica, jemi njoftuar dje pasdite verbalisht se i akuzuari Milot Ukaj nuk mund të vije në shqyrtimin e sotëm pasi bashkëshortja e tij do të operohet sot. Megjithatë rreth orës 16:00 kemi provuar ta marrin në telefon por nuk kemi mundur të komunikojmë. Andaj si kryetar i trupit gjykues, nuk kam shkresë zyrtare për mungesën e tyre”, tha Islam Thaçi, kryetar i trupit gjykues.

Seanca që dështoj të mbahet, u shtye për 31 maj.

Ndryshe, sipas aktakuzës i akuzuari Kristë Gjokaj, duke qenë në pozitën e komandantit në stacionin policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, përderisa i njëjti ishte i arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale, e godet me grusht në fytyrë duke e rrëzuar të dëmtuarin në dysheme.

Gjithnjë sipas aktakuzës, katër të akuzuarit tjerë Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj akuzohen se gjatë detyrës zyrtare, si zyrtarë policor, në bashkëkryerje kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, me qëllim që nga i njëjti të nxjerrin informacione për personat tjerë të përfshirë në kryerjen e dy veprave penale.

Aktakuza përshkruan veprimet e të akuzuarve, në atë mënyrë që fillimisht i akuzuari Milot Ukaj pas mesnate, të dëmtuarin fillon ta godasë me duar dhe këmbë, ku pastaj edhe dy herë të tjera pas diku rreth 25 minutave e sulmon dhe e kap për fyti duke e goditur vazhdimisht dhe si pasojë i dëmtuari mbetet i shtrirë në tokë.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, të dëmtuarin e kanë sulmuar edhe të akuzuarit tjerë duke e goditur me grushte dhe shkelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke shkaktuar lëndime të lehta trupore për çka edhe ishte dërguar për ndihmë mjekësore.

Ndërkaq, i akuzuari Shaban Limanaj akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare pasi duke qenë në pozitën e përgjegjësit për qendrën e ndalimit në Gjakovë, i ka mundësuar të akuzuarve të futen në qelinë e të dëmtuarit Muhamer Raifi, ku të njëjtit pastaj e kanë keqtrajtuar fizikisht.

Kujtojmë se në këtë rast edhe seanca e datës 19 mars kishte dështuar të mbahet.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: https://kallxo.com/uncategorized/deshton-seanca-ndaj-ish-komandantit-te-stacionit-policor-ne-gjakove/

#keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, keqpërdorim i detyrës zyrtare, Islam Thaqi, Ramiz Azizi, Islam Thaqi, Agim Ademi, Shaban Spahiu, Kristë Gjokaj, Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj.