Sërish alarm i rrejshëm për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë

Policia e Kosovës, sot pasdite ka pranuar një informatë se dyshohej se ka mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve  në Prishtinë, mirëpo ky alarm ka rezultuar i rrejshëm, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar  zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 16:00, është pranuar informata  ndërlidhur me dyshimet për prezencën e një mjeti shpërthyes në stacionin e autobusëve  në Prishtinë.  Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes duke ftuar edhe akterët e tjerë relevant dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të menaxhuar me situatën, përfshirë këtu edhe evakuimin e personelit dhe personave të tjerë prezent në perimetrin përreth” – ka thënë Borovci për KALLXO.com.

“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata ka rezultuar të jetë e rrejshme”- ka shtuar ai.

Stacioni i Autobusëve, muaj më parë disa herë është përballur me alarme të rrejshme për bombë.

FOTO: Alarm i rrejshëm për bombë në Stacion të Autobusëve në Prishtinë