Serbia zotohet të zhvarrosë së shpejti varrin masiv me shqiptarë të Kosovës

Zhvarrimi i eshtrave që mendohet të jenë viktima shqiptare të Kosovës të kohës së luftës në Kosovë, të gjetura në Kizevak, në Rashkë, në Serbinë jugore, duhet të fillojë javën e ardhshme, kur i gjithë terreni të përgatitet për punë, thonë zyrtarët.

Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë në departamentin e Krimeve të Luftës në Beograd krijoi të mërkurën një komision me ekspertë të gjykatës. Data e saktë e gërmimit ende nuk është vendosur.

“Fillimi i punimeve do të përcaktohet pas ekspertizës mbi situatën gjeologjike në terren, e cila do të përcaktohet nga komisioni dhe arkeologu i mjekësisë ligjore Andrej Staroviç”, tha gjykata për BIRN. Ai shtoi se informacionet duhet të dorëzohen jo më vonë se të premten.

Kreu i Komisionit Serb për Personat e Zhdukur, Veljko Odaloviç, i tha BIRN se punimet përgatitore po vazhdonin dhe se zhvarrosja “me kapacitet të plotë do të fillojë nga e hëna”.

Puna do të fillojë “kur ekipi i ekspertëve të jetë plotësuar dhe fillimisht vendndodhja të pajiset me çadra, energji elektrike, ujë dhe kështu me radhë”, shpjegoi Odaloviç.

Eshtrat u zbuluan më 16 nëntor, jo shumë larg gurores së Rudnicës, ku tashmë janë gjetur trupat e më shumë se 40 shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga forcat serbe në luftën e Kosovës 1998-1999.

Odaloviç tha për mediat javën e kaluar se atje kishte ndoshta 15 deri në 17 trupa.

“Sipas informacioneve që kishim, këtu ka mundësisht 15 deri në 17 trupa, por derisa të përfundojë kërkimi i plotë i vendndodhjes, derisa të merren mostrat e ADN-së nga eshtrat, nuk mund të themi me siguri se kujt i përkasin”, tha Odaloviç për televizionin serb Radio Televizioni i Serbisë, RTS.

Zbulimi ka shkaktuar konfliktet e zakonshme midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ministrja e jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj Stublla ka kërkuar të vizitojë çdo varr masive “ku kohët e fundit janë gjetur trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

Ministria e jashtme tha që ministrja “pritej të kryente këtë vizitë dhe të shihte nga afër procesin e gërmimit dhe të rrisë ndërgjegjësimin ndërkombëtar për të vërtetën rreth krimeve, pra, fshehjen e qëllimshme nga Serbia të varreve masive të shqiptarëve në të gjithë Serbinë”, tha ajo në një njoftim për shtyp.

Por presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se Beogradi “u kishte thënë atyre se një vizitë ishte absolutisht e papërshtatshme për momentin”.

Ai shtoi se kur Serbia i kërkonte Kosovës të linte zyrtarët e saj të vizitonin vendet e mundshme të varreve masive të viktimave serbe, ajo zakonisht refuzonte.

“Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Duam thjesht mundësinë që u kemi dhënë edhe të tjerëve. Duam ta kemi edhe ne atë të drejtë”, tha Vuçiç për mediat të martën.

Që nga viti 2001, eshtrat e mbi 900 viktimave shqiptare të Kosovës të kohës së luftës janë gjetur në katër lokacione të ndryshme në Serbi. Ata u vranë në Kosovë dhe më pas trupat e tyre u zhvendosën në varre të fshehta në një përpjekje për të fshehur krimet.

Askush nuk është mbajtur përgjegjës në Serbi për fshehjen e krimit. Megjithatë, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, dënoi një gjeneral të policisë serbe, Vlastimir Djordjeviç, për rolin e tij në fshehjen e trupave dhe për krime të tjera lufte kundër shqiptarëve të Kosovës.