(Ilustrim) Gardhi i vendosur në kufirin Serbi-Maqedoni e Veriut - Foto: REL/ OJQ Legis

Serbia vendos tela me gjemba në kufirin me Maqedoninë e Veriut

Serbia ka filluar të vendosë një gardh me tela gjemborë në kufirin me Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Preshevës. Ky gardh me tela gjemborë do të duhej të pamundësonte kalimet masive të paligjshme të kufirit, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, autoritetet e vetëqeverisjes lokale në Preshevë.

Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, e cila gjendet në jug të Serbisë dhe 380 kilometra larg nga Beogradi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që ngritja e gardhit me tela gjemborë është pjesë e marrëveshjes me Bashkimin Evropian (BE).

“Mendojmë që gardhi me tela gjemborë është në funksion të sigurimit të kufijve jashtë BE-së për refugjatët, të cilët ndoshta pritet të na frekuentojnë në këtë pjesë të ‘Rrugës Ballkanike’”, theksoi Arifi.

Ai konsideron se shikuar nga ky këndvështrim, gardhi me tela gjemborë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë do të kontribuojë në procesin e integrimeve evropiane, por me mirëkuptimin e plotë dhe respektimin e rrethanave politike.

“Personalisht, unë kam rezerva ndaj një tretmani të tillë ndaj refugjatëve”, tha Arifi.

Serbia gjendet në të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike”, përmes së cilës migrantët dhe refugjatët provojnë të arrijnë deri te vendet e BE-së.

Sipas të dhënave të fundit të qasshme, të cilat Komisariati për refugjat i Serbisë i ka publikuar më 20 qershor, në 18 qendra të pranimit dhe të azilit në Serbi, janë duke qëndruar rreth 4.800 persona.

Autoritetet në Serbi nuk janë të hapura për të dhënë detaje lidhur me gardhin me tela gjemborë të cilin Serbia po e vendos në kufi me Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Preshevës.

Madje, as pas disa tentimeve, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë përgjigje në pyetjet e drejtuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Serbia përkohësisht merr pronat private në zonën kufitare

Në vendimin e Drejtorisë republikane të pronave, i cili në qershor është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Financave të Serbisë, është publikuar lista prej disa dhjetëra njerëzve dhe personave juridikë që posedojnë tokë përgjatë vijës kufitare me Maqedoninë e Veriut, marrjen e përkohshme të së cilave e ka urdhëruar Serbia.

Siç thuhet në këtë dokument, të gjitha këto parcela gjenden në fshatin Miratoc, në Komunën e Preshevës, ndërkaq që Serbia i ka marrë “me qëllim të bllokimit të kufirit shtetëror në masat dhe kufijtë e konfirmuar me Elaboratin për bllokimin e kufirit me Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Gjithashtu, Radios Evropa e Lirë nuk i është mundësuar qasja për të parë Elaboratin, të cilin e ka hartuar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Në vendim theksohet që barra e kompensimit për tokën e marrë përkohësisht, bie mbi Republikën e Serbisë dhe se kjo marrje do të zgjasë derisa të mos ketë nevojë për këtë masë, më së gjati tre vjet që nga dita e nxjerrjes së vendimit.

Parandalimi i virusit, arsyeja zyrtare

Në shpjegimin e vendimit, ndër të tjera, theksohet që ky vendim është marrë në përputhje me Dekretin për masat në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ka të bëjë me parandalimin e përhapjes së sëmundjes infektuese COVID-19, veçanërisht për të parandaluar kalimin kufitar të mundshëm “masiv dhe të paautorizuar”.

Drejtoria republikane për pronën nuk është përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me afatin për përfundimin e punimeve dhe çmimin e tërësishëm të projektit.

Por, në përgjigjen e kësaj drejtorie thuhet që “Elaborati për bllokimin e kufirit përbëhet nga shumë segmente dhe faza dhe se në këtë moment nuk është e mundur që me shumë siguri të flitet për kornizën e saktë financiare të nevojshme për realizimin e punëve”.

Kufiri ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut është i gjatë 147 kilometra, por gjykuar sipas reliefit të terrenit, është e sigurt që gardhi me tela me gjemba nuk do të vendoset përgjatë gjithë kufirit.

Fshati Miratoc gjendet në Rrugën e dikurshme Ballkanike më të frekuentuar të migrantëve, ku përmes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, migrantët arrinin në Serbi.

Ata pas hyrjes në territorin e fqinjit jugor të Serbisë, kryesisht lëvizin përmes autostradës ose në mënyrë paralele me të. Pas Kumanovës marrin kthesën kah fshati Reçicë dhe përmes fshatit Vaksincë arrijnë në Llojan, prej nga hyjnë në Serbi, në zonën e fshatit Miratoc.

Ndonëse përgjatë asaj rruge, ata nuk udhëtojnë me mijëra, ashtu sikurse ndodhi në vitin 2015, megjithatë ajo mbetet ende në funksion, sepse pjesa më e madhe e migrantëve shmangin vendkalimin kufitar Preshevë – Tabanovc dhe kampin transit për migrantë në atë vend.

Aktivistët vlerësojnë që gardhi me tela gjemborë nuk do t’i ndalë migrantët

Sipas të dhënave nga vëzhgimi i organizatës joqeveritare “Legis” nga Shkupi, në baza ditore në Maqedoninë e Veriut regjistrohen rreth 200 përpjekje të migrantëve që të hyjnë në këtë vend nga Greqia.

“Policia kufitare i ndalon ata njerëz dhe i kthen në Greqi, por njëkohësisht edhe në kufirin me Serbinë i evidentojmë rreth 50 përpjekje në ditë të migrantëve që nga Maqedonia e Veriut tentojnë të kalojnë në Serbi. Kjo tregon që ata megjithatë gjejnë mënyra që të vazhdojnë rrugën kah caku i tyre përfundimtar – Evropa Perëndimore”, ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë sekretari i përgjithshëm i organizatës joqeveritare “Legis” nga Shkupi, Jasmin Rexhepi.

Rexhepi, i cili kah ana maqedone, së bashku me aktivistë, i është ofruar lokacionit ku po vendoset gardhi me tela gjemborë, theksoi që momentalisht po vendoset një tampon- rrugë përmes së cilës do të lëvizin automjetet e policisë dhe ushtrisë dhe po vendosen shtyllat metalike, të cilat betonohen në tokë.

Ato nuk janë të larta, sepse më vonë do të mbindërtohen, në mënyrë që të arrihet një gardh i ngjashëm me atë në kufirin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut ose ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë”, theksoi Rexhepi.

Në bazë të përvojave të Maqedonisë së Veriut me ngritjen e gardheve me tela gjemborë, Rexhepi vlerëson që pavarësisht lartësisë së tyre, madhësisë dhe formave të tjera, ky gardh nuk mund t’i ndalojë migrantët dhe për këtë shkak vendosja sipas rregullave është e pashpjegueshme dhe e panevojshme.

“Ne e kemi gardhin në kufi me Greqinë, por ai është ndërtuar në pjesën e rrafshët. Megjithatë, migrantët më nuk e përdorin atë rrugë, por i anashkalojnë pengesat me tela dhe kufirin e kalojnë në pjesët malore ku gardhet janë shumë më vështirë që të vendosen. Për këtë shkak, konsideroj që mjetet për ngritjen e tyre janë para të qytetarëve të shpenzuara kot”, tha Rexhepi.

OJQ-ja nga Serbia ka regjistruar numër më të madh të të kthyerve

Organizata joqeveritare nga Serbia, Qendra për mbrojtje dhe ndihmë për azilkërkuesit, ka theksuar më 13 gusht, në faqen e saj në Twitter, se janë duke evidentuar numër të shtuar të kthimit të njerëzve në Maqedoninë e Veriut, në bazë të dëshmive të migrantëve në terren, në jug të Serbisë. Organizata ka konfirmuar edhe faktin se është duke u ngritur një gardh me tela gjemborë.

“Njërëzit, pas përpjekjes së katërt ose të pestë, po kanë sukses që të hyjnë në Serbi dhe nga jugu po vazhdojnë për më tutje. Me shpejtësi janë duke u zhvilluar edhe punimet për vendosjen e gardhit kah Maqedonia e Veriut”.

Në muajin prill, në Miratoc është hapur qendra për pranimin e migrantëve me 100 shtretër, e cila është shndërruar në karantinë.

Mirjana Milenkovski nga UNHCR-ja, thotë për Radion Evropa e Lirë që migrantët që nga Maqedonia e Veriut hyjnë paligjshëm në Serbi, menjëherë dërgohen në qendrën për pranim , në të cilën qëndrojnë në karantinë 28 ditë.

“Në qoftë se, pas kalimit të asaj periudhe, dalin negativë në testim, atëherë ata transportohen në kampe të tjera për vendosjen e migrantëve”, theksoi Milenkovski.

Popullsia vendore e gatshme të ndihmojë

Kujtim Sadriu, kryetar i organizatës joqeveritare Qendra për hulumtim dhe mbikëqyrje në Preshevë, e sheh ngritjen e gardhit me tela gjemborë si një masë, e cila, siç tha ai për Radion Evropa e Lirë, në kohën e pandemisë së koronavirusit ka dimension krejtësisht tjetër.

“Shikuar nga ajo perspektivë, secila masë që kontribuon për ruajtjen e shëndetit të njerëzve, është e mirëseardhur”, tha Sadriu.

Ai shtoi që banorët e Preshevës janë paksa më të kujdesshëm me migrantët, vetëm për shkak të mundësisë që ndonjëri nga ta mund të bartë virusin infektues.

“Ne edhe më tej kemi disponim mjaft miqësor ndaj tyre dhe jemi të gatshëm, ashtu sikurse edhe deri më tash, që t’i ndihmojmë në çdo mënyrë, sepse e dimë se në këtë rrugë të pasigurt i ka shtyrë mundimi”, tha Sadriu.

Autoritetet në Preshevë kërkojnë hapjen e vendkalimit të ri kufitar

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, thotë që është tejet e rëndësishme që me projektin e vendosjes së gardhit me tela gjemborë, të zgjidhet edhe çështja e hapjes së vendkalimit të vogël kufitar Miratoc-Llojan, përmes të cilit do të vendosej një komunikim më i mirë dhe më i shpejtë i banorëve vendas nga të dyja anët e kufirit.

“Ai vendkalim është mbyllur para 30 vjetësh me vendimin e kryetarit të atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq dhe tashmë është koha që ai vendim diktatorial të anulohet. Për vetëqeverisjen lokale këtu në Preshevë, por edhe për qytetarët tonë, hapja e vendkalimit të vogël kufitar është më e rëndësishme sesa ngritja e gardhit me tela gjemborë”, tha Arifi.

Sipas tij, banorët e këtyre dy fshatrave me shumicë shqiptare, por edhe rrethinat e tyre, presin që ky problem të zgjidhet.

Për hapjen e vendkalimit të vogël kufitar është arritur pajtimi vitin e kaluar, ndërkaq që Qeveria e Serbisë ka sjellë vendimin për themelimin e Trupit koordinues për këtë çështje.

“Por kjo ende nuk ka ndodhur”, theksoi Arifi dhe shtoi që ky vendkalim kufitar është i rëndësishëm për qytetarët që jetojnë nga të dyja anët e kufirit.

“Me hapjen e atij vendkalimi, njerëzit do të mund të punonin tokën e tyre, e cila gjendet në territorin e shtetit fqinj, që me rastin e vizitave te të afërmit e tyre të mos shkojnë në vendkalimin ndërkombëtar Preshevë-Tabanovc, në korridorin 10 dhe në disa raste madje edhe me orë të tëra të presin për kontroll të pasaportës. Për shkak të gjithë këtyre, vendkalimi i vogël kufitar do të kontribuonte në përmirësimin e kualitetit të jetës së të gjithë njerëzve në këtë zonë”, theksoi Arifi.

Gardhi me tela gjemborë në Rrugën Ballkanike

Gardhin e parë me tela gjemborë, për shkak të refugjatëve, e pati ngritur Hungaria, e cila në vitin 2017, përgjatë gjithë kufirit me Serbinë, vendosi gardhin me tela gjemborë të gjatë rreth 150 kilometra, të pajisur me kamera video dhe termike.

Maqedonia e Veriut, në vitin 2016, me një gardh të dyfishtë me tela gjemborë, kishte siguruar kufirin e saj jugor kah Greqia. Sipas të dhënave zyrtare ishin ngritur 37 kilometra gardh me tela gjemborë, i lartë 2.5 metra me tela të mprehtë në majë.

Sllovenia kishte nisur të vendoste gardhin me tela gjemborë në kufirin me Kroacinë, në vitin 2015, ndërkaq vitin e kaluar ka nisur vendosjen e një gardhi shtesë prej 40 kilometra, në mënyrë që të sigurojë pjesët e rrezikshme përgjatë kufirit.

Para dy vjetësh, Drejtoria e Policisë e Malit të Zi, ka theksuar që shteti është duke evidentuar rrjedhje të shtuar të migrantëve që vijnë nga Shqipëria dhe se nuk e përjashton mundësinë e vendosjes së gardhit me tela gjemborë në pjesët e rrezikuara të kufirit./REL