Serbia vendos njoftime në pikat kufitare: Njohja e letërnjoftimeve, nuk do të thotë që kemi njohur pavarësinë

Në të gjitha pikat e kontrollit në vendkalimet administrative të Serbisë që çojnë drejt Kosovës janë vendosur postere që njoftojnë se përdorimi i letërnjoftimeve të Republikës së Kosovës nuk nënkupton që është njohur Pavarësia e Kosovës nga Serbia, raporton RTS.

“Që nga mëngjesi i sotëm, në të gjitha pikat e kontrollit në vendkalimet administrative drejt Kosovës janë vendosur mohime me njoftimin se përdorimi i letërnjoftimeve të lëshuara nga autoritetet në Prishtinë është i mundur vetëm për arsye praktike, për hir të lirisë së lëvizjes dhe se kjo nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës” – është thënë në raportimin e Televizionit Publik të Serbisë.

Letra e vendosur në pikat kufitare serbe që çojnë në Kosovë | Foto: RTS

Tutje është thënë se në postere theksohet se përdorimi i letërnjoftimeve të lëshuara nga Kosova nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

1 shtatori i vitit 2022 është data që shënon hyrjen në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale.

Pronarëve të automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, do t’i mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Për t’u kryer kjo punë, pronarët kanë në dispozicion dy muaj. Nga nesër e deri më 31 tetor të këtij viti.

Ky vendim ishte marr në mbledhjen e 29 qershorit të 2022-ës dhe ishte planifikuar që të filloj së zbatuari më 1 gusht, por për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës, vendimi i shty për një muaj.

Një rrugëtim të njëjtë si vendimi i targave ilegale ka pasur edhe vendimi për dokumente hyrje/dalje që do të lëshonte Republika e Kosovës për qytetarët serb që do të hynin në vend, ashtu siç lëshonte Serbia për qytetarët e Kosovës.

Më 31 korrik, serbët lokal të veriut të Kosovës kishin filluar që të mblidheshin e të krijonin tensione.

Alarmi që u lëshua tri herë brenda ditës, 9 barrikadat që u vendosën nga persona të maskuar e vështirë të verifikueshëm, sulmet ndaj qytetarëve që më pas u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës bënë që në kryeqytet Qeveria të takohej me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

Pas takimit, Kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022.

Mirëpo, për njërin nga vendimet, atë të dokumenteve hyrje/dalje, me ndihëm e ndërmjetësueseve ndërkombëtar, dy vendet fqinje arritën në një marrëveshje të përbashkët që t’i njohin letërnjoftimet e njëra-tjetrës.

Më 27 gusht 2022, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi për marrëveshjen e arritur.

Ai kishte njoftuar se pas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia kishte rënë dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe se Kosova ishte pajtuar që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe.

Kështu kishte shkruar Borrell në Twitter, duke shtuar se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.