Serbia u kufizon lirinë e lëvizjes serbëve të Kosovës

Për një dekadë, shtetasit serbë që banojnë në Kosovë janë trajtuar ndryshe nga shtetasit e tjerë serbë kur vjen puna te pasaportat dhe dokumentet e vendbanimit, gjë e cila ka sjellë ankesa për diskriminim.

 

Në nëntor 2018, Dejan Nedeljkoviç, një serb i Kosovës, bëri kërkesë për të regjistruar vendbanimin e tij zyrtar në kryeqytetin serb, Beograd, ku ai dhe gruaja e tij zotërojnë një apartament dhe ku planifikoni të shpërnguleshin.

Çifti jetonte dhe jeton akoma në Banjska, në komunën e Zveçanit në Kosovë, jo larg qytetit etnik të Mitrovicës, një pikë e nxehtë mes serbëve dhe shqiptarëve që kur Kosova u shkëput nga Serbia në një luftë të viteve 1998-1999.

Në Serbi, regjistrimi i vendbanimit zgjat disa minuta, ndoshta edhe orë, në varësi të radhës. Kërkesat e vetme janë një mjet identifikimi i rregullt serb dhe prania e pronarit të pronës.

Megjithatë nëntë muaj më vonë, Nedeljkoviç është ende duke pritur. Problemi qëndron në mënyrën sesi Serbia lëshon pasaportat, e bërë si kusht i Bashkimit Europian për heqjen e kërkesës për vizë për shtetasit serbë.

Që atëherë, sistemi bën diferencimin midis qytetarëve serbë dhe qytetarëve serbë që banojnë në Kosovë, këta të fundit nuk mbulohen nga heqja e vizave.

Kosova si shtet po pret ende t’i bashkohet vendeve të tjera të rajonit në të ashtuquajturën Lista e Bardhë e Shengenit, që do të thotë se qytetarët e saj mund të udhëtojnë lirshëm në BE deri në tre muaj pa aplikuar për vizë.

Serbët e Kosovës si Nedeljkoviç shprehen se ndryshimi në pasaporta arrin në diskriminim, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes dhe krijimin e një sërë pengesash burokratike me të cilat nuk përballen qytetarët e tjerë serbë, të paktën jo në regjistrimin e ndryshimit të vendbanimit të tyre.

“Edhe unë jam qytetar i Serbisë,” tha Nedeljkoviç. “Pse unë qenkam më pak qytetar sesa, për shembull, njerëz nga Raska, të cilët mund të regjistrohen kudo?”

Miodrag Miliceviç nga OJQ-ja Aktiv në Mitrovicën e Veriut tha se qytetarët e Serbisë të regjistruar në Kosovë ishin bërë qytetarë të klasit të dytë.

“Pavarësisht të drejtave të barabarta në letër, në praktikë qytetarët e Serbisë me vendbanim në Kosovë janë në një pozicion vartës, gjë që kufizon në masë të madhe lirinë e tyre të lëvizjes,” tha Miliceviç për BIRN.

I nënshtrohen kontrolleve të sigurisë

Kosova, ku 90 për qind e rreth 1.8 milionë banorëve janë shqiptarë etnikë, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Më shumë se 100 vende të botës e njohin Kosovën si shtet sovran, përfshirë 23 nga 28 anëtarët e BE-së. Por Serbia jo dhe shumica dërrmuese e serbëve që jetojnë atje mbeten qytetarë të Serbisë.

Serbia e humbi kontrollin mbi Kosovën në vitin 1999 pas një lufte 11-javore ajrore të NATO-s. Por ajo vazhdoi të operonte një sistem paralel shtetëror, me departamente policie, gjykata dhe zyra komunale që thjesht u zhvendosën në qytete të tjera në atë kohë të Serbisë.

Këto zyra lëshuan pasaporta për serbët që jetonin në Kosovë si për çdo shtetas tjetër serb. Por kjo ndryshoi në shtator 2009 kur, si pjesë e një sërë reformash të kërkuara në mënyrë që Serbia të mundësonte udhëtimin pa viza në BE, ministria e brendshme e Serbisë nënshkroi një protokoll me EULEX-in, sipas të cilit Beogradi krijoi një organ i ri për lëshimin e pasaportave për serbët e Kosovës.

Këto pasaporta nuk mbulohen nga heqja e vizës Shengen. Sipas një rregulloreje të mëpasme serbe, ato lëshohen gjithashtu vetëm në Beograd, ndryshe nga pasaportat “normale” serbe për të cilat qytetarët mund të aplikojnë dhe t’i marrin në rajonin më të afërt të policisë.

Sipas rregullores, serbët e Kosovës përballen me kushte më të rrepta dhe kontrolle të gjata sigurie kur përpiqen të ndryshojnë vendbanimin e tyre, një proces që tani mund të zgjasë me muaj apo edhe me vite.

Ministria e brendshme e Serbisë nuk u përgjigj pyetjeve të BIRN.

Bojan Elek, një serb nga Kosova dhe hulumtues në Qendrën për Politika të Sigurisë në Beograd, tha se procesi i ndryshimit të vendbanimit të tij këtë vit e kishte bërë atë të ndihej si një “qytetar i klasit të dytë, madje edhe i klasit të tretë”.

“Sipas rregulloreve, ndryshimi i adresës përfshin kontrolle sigurie që mund të zgjasin për gjashtë muaj, për diçka që njerëzit e tjerë mund ta përfundojnë brenda një dite,” tha Elek për BIRN.

Kontrolle të tilla sigurie mund të përfshijnë vizita nga policia në adresën e dhënë për t’u siguruar që personi jeton vërtet atje.

“Në rastin tim, ata erdhën tre herë për të parë nëse unë jetoj vërtet atje. Por ata gjithashtu kontrollojnë edhe në lagje, duke bërë pyetje dhe nuk thonë arsye. Në këtë mënyrë, njerëzit mendojnë se unë jam ndonjë lloj krimineli.”

Elek tha se ditën që ai kishte aplikuar, i ishte dashur të kthehej katër herë në polici me dokumente shtesë, përfshirë edhe kontratën e tij të punës.  Si përfundim, ai arriti ta regjistronte adresën e tij të re.

Me një adresë zyrtare në Serbi, serbët e Kosovës kualifikohen për pasaportën “normale” serbe dhe për pasojë mund të udhëtojnë pa viza në BE.

Kontratë pune

Nedeljkoviç, i cili më parë punonte në Shërbimin Kombëtar të Punësimit, por e humbi vendin e punës, tha se duhet të ndryshonte vendbanimin e tij në mënyrë që të rregullojë faturat e shërbimeve për apartamentin e tij në Beograd. Por ai priti për muaj me radhë që policia të bënte kontrollet e sigurisë dhe iu kërkua një kontratë punë, të cilën ai nuk e kishte më.

Nedeljkoviç, i cili ishte gjithashtu një organizator i protestave kundër qeverisë serbe në Mitrovicën e Veriut, apeloi në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë.

“Askush nuk mund të na shpjegojë pse ne jemi qytetarë të klasit të dytë,” tha ai për BIRN.

Miliceviç tha se mungesa e një vendi pune ishte arsyeja më e zakonshme pse serbëve të Kosovës u refuzoheshin përpjekjet e tyre për t’u regjistruar në një vendbanim të ri.

“Bazuar në biseda individuale me qytetarë të cilëve iu është refuzuar kjo procedurë, ndër të tjera, arsyet më të zakonshme që ata përmendin janë papunësia dhe rrjedhimisht pamundësia për të marrë një certifikatë nga një punëdhënës në lidhje me taksat e paguara,” tha ai.

“Disa nga dokumentet e kërkuara janë sigurisht të arsyeshme sipas ligjit, por mbetet e paqartë pse një person që zotëron pasuri të paluajtshme në territorin e Serbisë qendrore, por që nuk ka një punë, nuk i plotëson kushtet për ndryshimin e vendbanimit të tij,” tha Miliceviç për BIRN.