Serbia tenton futjen e materialit për referendumin e saj në Kosovë, konfiskohen kamionët

Policia e Kosovës ka ndaluar disa zyrtarë të Serbisë të cilët po tentonin të fusnin materialet për votimin e referendumit të së dielës në territorin e Republikës së Kosovës.

Ndalimi i tyre është bërë në pikën kufitare në Mendare.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka njoftuar të premten në mbrëmje se në pikën kufitare Merdare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ndalur një zyrtar i Komisionit Republikan Zgjedhor, i cili ka tentuar të importojë materiale zgjedhor në Kosovë për referendumin e ardhshëm në Serbi, i cili do të mbahet më 16 janar.

Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës është ndaluar koordinatori i Komisionit Republikan Zgjedhor, Marko Jankoviq, i cili ishte i shoqëruar nga dy kamionë që transportonin material zgjedhor, lidhur me çka “ishte njoftuar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë”.

Në njoftim është thënë se Policia e Kosovës ka konfiskuar dy kamionët dhe ka arrestuar zyrtarin e Komisionit, si dhe vozitësit e kamionëve.

Në njoftim është thënë edhe se zyrtari i Komisionit është dërguar “në drejtim të panjohur”.

Lidhur me këtë çështje është thënë të jenë njoftuar edhe zyrtarë evropianë.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë ishte i obliguar që sonte të merrte përsipër materialin zgjedhor në përputhje me mandatin e saj në terren, por edhe gatishmërinë e shprehur për organizimin e referendumit, për të cilin jemi njoftuar me një letër të datës 22 dhjetor të vitit të kaluar. Mirëpo, sonte misioni i OSBE-së, jo vetëm që nuk ka marrë përsipër materialin e referendumit, por as nuk është paraqitur në Merdare, ku është dashur ta marrë materialin, siç është bërë çdo herë deri më tani në proceset e mëparshme zgjedhore”, përmendet në njoftim.

Policia e Kosovës dhe OSBE-ja ende nuk janë prononcuar lidhur me këto zhvillime.