Spital i improvizuar në sallën e Panairit në Beograd Foto: mod.gov.rs

Serbia e pranon se shifrat e të vdekurve nga COVID-19 janë më të larta se sa u raportuan

Teksa konfirmohet përmbajtja e raporteve të BIRN për këtë çështje, një anëtar i shtabit të krizave qeveritare ka pranuar se vdekshmëria nga COVID-19 në muajin qershor ka qenë shumë më e lartë se që u raportua zyrtarisht, teksa fajëson një sistem të ri informimi.

Një anëtar i shtabit të krizave në qeverinë e Serbisë, Predrag Kon, ka pranuar se numri i vdekjeve nga COVID-19 në qershor të deklaruara zyrtarisht ka qenë tre herë më i ulët sesa numrat e vërtetë, raporton BalkanInsight.

Kon ia la fajin një sistemi të ri informimi që po përdorej për herë të parë, i cili nuk kishte qenë i saktë, duke thënë se analiza e mëvonshme e të dhënave shpalosi një dallim të madh mes numrave real dhe atyre që ishin deklaruar.

“Ne po përdornim një sistem të ri informimi për herë të parë. Ai sistem informimi në një moment, në një kohë. Nuk ishte mjaftueshëm preciz dhe nuk mund të them pse, kështu që, diku nga mesi i qershorit, nuk ishte i saktë,” tha Kon të martën për televizionin NewsMaxAdria.

“Teksa ekzaminohet gjithçka që ndodhi, është ë qartë se ekziston një dallim mes asaj që në, në nivelin e Beogradit, kemi përcaktuar si raste, sidomos vdekjet,” shtoi ai.

“Vdekjet nuk mund të raportohen saktë deri sa të kalojë një kohë. Të dhënat e futura në çertifikatën e vdekjes kthehen tek pas dy muajve. Unë i përpunova të dhënat deri në qershor.

Deri në qershor, me pak fjalë, kishte tre herë më shumë vdekje, jo vetëm nga ajo që u njoftua zyrtarisht por edhe nga ato që u raportuan,” vazhdoi ai.

Kon tha se gjëra të tilla “ndodhin gjatë gjithë kohës”, dhe përsëriti se “ ne nuk kemi punuar kurrë në atë sistem”.

Në fund të muajit qershor BIRN raportoi se nga 19 marsi deri më 1 qershor , në total vdiqën 632 persona në Serbi, që ishin testuar pozitivë më coronavirus, i cili ishte dy herë më shumë se numri prej 244 vdekjeve i njoftuar zyrtarisht gjatë asaj periudhe.

Duke analizuar të dhënat e marra nga vetë sistemi i informacionit shtetëror COVID-19, BIRN gjithashtu raportoi se numri i njerëzve që ishin infektuar në Serbi nga 17 qershori deri më 20 qershor ishte të paktën 300 në ditë, që ishte shumë më tepër se shifrat e njoftuara zyrtarisht . Ata regjistruan  maksimumin prej 97 rastesh të reja në një ditë të vetme gjatë asaj periudhe.