Serbia ndalon shitjen e bluzave me slogane për masakrat e Srebrenicës

Autoritetet serbe ndaluan një dyqan online me qendër në Beograd të shesë bluza me një slogan që kremton vrasjet masive të boshnjakëve nga Srebrenica në 1995, raporton BalkanInsight

Inspektorati i Tregut i Serbisë të premten ndaloi “Dyqanin 011” në Beograd të shesë dhe reklamojë bluza me një slogan që lavdëron masakrat e Srebrenicës të vitit 1995, të cilat faqja e internetit e dyqanit i kishte promovuar në internet.

Ministria e Tregtisë tha se një kallëzim penal ishte depozituar gjithashtu në prokurorinë serbe duke akuzuar kompaninë për “reklamimin e produkteve që nxisin urrejtjen kombëtare, fetare dhe racore”.

Veshjet kishin sloganin “Noz, Zica” (“Thikë, tel”) – një referencë për një brohoritje popullore e huliganëve serbë në ndeshjet e futbollit, “Noz, Zica, Srebrenica” (“Thikë, tel, Srebrenica”), e cila kremton vrasje masive të boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995.

“Reklamimi dhe shitja e produkteve të tilla jo vetëm që shkel ligjin për reklamim dhe kodin penal, por është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Serbisë, sepse inkurajon nxitjen e urrejtjes kombëtare, fetare dhe racore, e cila është e ndaluar”, tha sekretari i shtetit në Ministrinë e Tregtisë, Uros Kandiç.

Kandiç tha se një kallëzim penal kundër shitësit me pakicë në internet ishte depozituar në Prokurorinë për Krimin e Teknologjisë së Lartë.

“Dyqani 011” kërkoi falje për incidentin në faqen e tij në Facebook, duke pretenduar se mesazhi në veshje ishte “keqinterpretuar” dhe “nxjerrë nga konteksti” dhe se ato ishin tërhequr nga shitja.

“Nuk ishte qëllimi ynë të përhapim ndonjë lloj urrejtjeje apo fanatizmi ndaj askujt”, thuhej në deklaratën e dyqanit.

Faqja e saj e internetit, e regjistruar në kompaninë me qendër në Beograd “Souvenir Shop”, u mbyll të premten në mëngjes.

“Dyqani 01” i  reklamon veshjet e tij “si veshje serbe për në rrugë” për burra, gra dhe fëmijë. Disa artikuj lavdërojnë gjithashtu Lëvizjen nacionaliste Çetnike serbe dhe udhëheqësin e saj të epokës së Luftës së Dytë Botërore Dragoljub Mihajloviç, si dhe liderin famëkeq paraushtarak të viteve 1990 Zeljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si Arkani.

Kompania ka gjithashtu dyqane me pakicë në vende të ndryshme në Beograd.

Forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8,000 burra dhe djem boshnjakë pasi pushtuan qytetin e Srebrenicës në Bosnjën lindore në korrik 1995, në një seri masakrash që gjykatat ndërkombëtare i kanë klasifikuar si gjenocid.