Eksperti irlandez, Michael Semple, ish- zv.presidenti i Afganistanit, Karim Khalili dhe ish-ministri Serb, Ivica Daçiç në një nga takimet e Beogradit. Foto: Arkiva private.

Serbia mikpriti negociata sekrete mes qeverisë afgane dhe talebanëve

Pasi ish-ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç deklaroi të martën se në Serbi ishte mbajtur bisedime mes ish-qeverisë së Afganistanit dhe talebanëve tre herë në vitet e fundit, drejtori i qendrës East West Bridge, e cila raportohet se organizoi negociatat, i tha BIRN se informacioni i Daçiç ishte i saktë, duke e mbështetur atë me fotografi nga takimet.

Jovan Kovaçiç i tha BIRN se qeveria tashmë e rrëzuar e Afganistanit dhe talebanët zhvilluan tre takime mes viteve 2018 dhe 2019 në kryeqytetin serb, Beograd.

I pyetur se si u përfshi organizata e tij, Kovaçiç tha se ai mori një telefonatë nga një figurë e njohur ndërkombëtare rreth idesë së tij se Serbia mund të shërbente si terren neutral për takimin mes dy palëve.

“Ishte pak befasuese, por organizata jonë është e njohur për ndërtimin e bashkëpunimit dhe besimit pas konflikteve. Gjithashtu, Serbia ka një pozitë të mirë se është neutrale dhe  të gjithë e dimë se bota myslimane është larg të qenit e unifikuar. Në çdo vend tjetër, do të kishte akuza për ndikime të ndryshme,’ tha drejtori i East- West Bridge për BIRN.

Ai nuk e zbuloi emrin e ‘figurës së njohur ndërkombëtare” që e telefonoi, përveç faktit se ai është nga një vend i Bashkimit Europian.

Kovaçiç shtoi se i ishte thënë që të kontaktonte Michael Semple, një ekspert irlandez të cilin BBC e kishte cilësuar si “një nga ekspertët më të respektuar të Perëndimit në Afganistan”. Semple ishte një zv.përfaqësues special i Bashkimit Europian për Afganistanin, derisa qeveria e atëhershme e Afganistanit e dëboi në vitin 2007 për ‘aktivitetet e tij të paautorizuara”.

“Unë e kontaktova atë dhe më pas, ne u vunë në kontakt me qeverinë serbe, e cila e pëlqeu idenë. Ishte një detyrë serioze, pasi shumë negociatorë kishin pengesa për të kapërcyer, përfshi ndalimet e udhëtimeve. Por Serbia e bëri këtë në mënyrë vërtet profesionale,” tha ai, ndërsa shtoi se fshehtësia ishte normale në negociata të tilla dhe në këtë rast, ishte “takimi i tyre i parë”.

Kovaçiç mohoi që bisedimet të ishin kryer pas krahëve të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian apo aktorëve të tjerë të përfshirë, duke pretenduar se ata dhanë leje dhe u përfshinë në proces.

“Ne nuk bëmë asgjë pas krahëve të dikujt. Çdokush që duhej të ftohej u ftua, përfshirë SHBA, vendet e BE si Britania, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia si dhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara,” theksoi ai.

I pyetur se kush e financoi të gjithë procesin, ai tha se secili ndau kostot e udhëtimit dhe qëndrimit dhe se shteti serb  siguroi vetëm vendet e takimeve dhe asete teknike dhe komunikimi.

East West Bridge është një organizatë me seli në Serbi, anëtarët e së cilës janë zakonisht njerëz nga bota e biznesit, nga politika dhe media në Serbi dhe në rajon. Në faqen zyrtare të organizatës, kryeministrja serbe, Ana Brnabic listohet si një anëtare. Aty theksohet gjithashtu bashkëpunimi me Komisionin Trilateral, Forumin Ekonomik Botëror Davos dhe Samitin e Biznesit Europian.

Drejtori i organizatës, Jovan Kovaçiç është gjithashtu një anëtar i komitetit ekzekutiv të Komisionit Trilateral dhe president i Grupit Kombëtar të Serbisë në këtë komision –një organizatë jo-qeveritare e themeluar nga David Rockefeller në vitin 1973. (reporter.al)