Qeveria Kurti II

Serbia ia refuzon kërkesën për vizitë në Luginë të Preshevës katër ministrave të qeverisë Kurti

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se Serbia ka refuzuar një kërkesë për vizitë në 3 komunat e Luginës së Preshëvës – Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.

Sipas Aliut, refuzimi është ardhur vetëm pak kohë para nisjes ndërsa bashkë me të ishte planifikuar të shkonin edhe tre ministra të tjerë, Arsimit, Financave dhe i Kulturës.

“Nga Serbia, na refuzohet pa arsye kërkesa për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë në momentin para nisjes”, ka shkruar Aliu në Facebook.

“Duke filluar nga sot, bashkë me ministrat, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, planifikonim të fillonim vizitën dy ditore, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tonë”, ka deklaruar ministri i Mjedisit.

Ai ka treguar edhe detajet e kërkesës për vizitë dhe refuzimin, sipas tij, pa ndonjë arsye.

“Në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Bruksel, ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 Nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. Refuzimi na është bërë sot në oren 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin”, ka thënë ai.

Ministri Liburn Aliu e ka quajtur pengim të hapur për të ndihmuar shqiptarët tre komunat, Metëvegjë, Preshevë dhe Bujanoc.

“Agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike”, tha Aliu.

Ditë më parë, Kosova ia ndaloi hyrjen në Kosovë drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ndaj kësaj, kishte reaguar zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Zyra e BE-së: Kosova të rishqyrtojë vendimin, Petkoviqit është dashur t’i lejohet vizita

www.kallxo.com