Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Serbia ia ndalon kryediplomates Donika Gërvalla vizitën në Luginë

Shefes së diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvallës i është ndaluar hyra në Serbi. Gërvalla kishte planifikuar që ta zhvillonte një vizitë në shtetin fqinjë në komunat shqiptare të Luginës së Preshevës.

Mirëpo autoritet serbe nuk i kanë dhënë leje për këtë vizitë. Kështu kanë bërë të ditur nga Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në një përgjigje për KALLXO.com.

“Ne kemi kërkuar leje. Vizita ka dështuar për shkak të lojërave të pandershme të Beogradit zyrtar. Vizitën do të përpiqemi megjithatë ta realizojmë në një datë tjetër”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndalesa e autoriteteve serbe kundër ministres Gërvalla, vie pas ndalesës që autoritet kosovare ia bënë drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç të cilit tash e disa herë nuk i është lejuar hyrja në Kosovë.

Ndërsa më 27 nëntor, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se Serbia ka refuzuar një kërkesë për vizitë në 3 komunat e Luginës së Preshevës – Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Përveç Aliut, në këtë vizitë ishte paraparë të marrin pjesë është ministrat Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku.

MPDJ ka thënë se Petkoviçit i është ndaluar hyrja për shkak që me vizitat e mëhershme ka nxitur përçarje.

“Ky refuzim ka ndodhur për shkak se Petkoviç, duke shkelur marrëveshjet e lidhura, vizitat e tij të mëparshme në mënyrë të përsëritur i ka keqpërdorur për të nxitur përçarje në mes të komuniteteve dhe për të provokuar institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.