Aleksandar Vuçiq

Serbia i kërkon Rusisë t'i japë fund rekrutimit të qytetarëve serbë për luftën në Ukrainë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se Rusia duhet t’u jap fund përpjekjeve për rekrutimin e serbëve për të luftuar përkrah grupit të saj paraushtarak Wagner në Ukrainë.

Ai kritikoi faqet e internetit të Rusisë dhe grupet e rrjeteve sociale për publikimin e reklamave në gjuhën serbe në të cilat grupi Wagner thërret vullnetarët që t’u bashkohen radhëve të tij.

“Nuk është e drejtë që dikush thërret njerëzit në Serbi, e cila është e vetmja që nuk i ka vënë sanksione Rusisë, të luftojnë në Ukrainë, kur dihet se kjo është kundër rregullave tona”, tha presidenti serbë të hënën vonë në një intervistë në televizionin Happy.

Vullnetarët serbë morën pjesë në luftime së bashku me forcat pro-ruse në Ukrainë në vitet 2014 dhe 2015. Askush nuk i di numrat e saktë, por dhjetëra serbë janë regjistruar për të luftuar në Ukrainë që nga viti 2014, thonë vëzhguesit.

Të martën, agjencia ruse e lajmeve RIA, transmetoi pamjet televizive të dy burrave të maskuar që u identifikonin si vullnetarë serbë në një kurs trajnimi për përdorimin e armëve në pjesët e kontrolluara nga Rusia të rajonit Zaporizhzhia në Ukrainë.

Ligjet serbe ndalojnë pjesëmarrjen e qytetarëve të Serbisë në konfliktet jashtë vendit dhe disa persona janë dënuar për këtë.

Javën e kaluar i dërguari i lartë amerikan Derek Chollet shprehu shqetësimin e fortë për veprimtarinë e grupit të kontraktorëve privatë ushtarakë “Wagner Group” dhe për përpjekjet që po bën ky grup për të rekrutuar ushtarë në Serbi dhe vende të tjera.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit tha se i ka shprehur këto shqetësime gjatë bisedimeve në Beograd me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

“Kemi parë se Grupi Wagner po përpiqet të rekrutojë ushtarë nga Serbia dhe gjetiu, dhe kjo është diçka që ne mendojmë se nuk mund të vazhdojë”, u tha ai gazetarëve të enjten pas takimit me presidentin serb.

Presidenti serb mohoi akuzat se grupi Wagner, i udhëhequr nga Evgeny Prigozhin, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, është i pranishëm në Serbi ku organizatat pro-Kremlinit dhe ato ultranacionaliste e kanë mbështetur agresionin mbi Ukrainën.

Ai i cilësoi si “gënjeshtra” pohimet se pjesëtarë të grupit Wagner janë parë edhe në veriun e Kosovës përgjatë tensioneve të muajit dhjetor, kur grupe serbësh mbajtën të bllokuara rrugët kryesore në zonë për rreth tri javë.

Serbia është kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, i cili është partneri dhe investitori kryesor tregtar i saj, por gjithashtu ruan bashkëpunimin tregtar dhe ushtarak me Rusinë, një aleat tradicional i saj, që mbështetë pretendimet serbë ndaj Kosovës.

Edhe pse në mënyrë të përsëritur dënoi agresionin e Rusisë në Ukrainë në Kombet e Bashkuara dhe në disa forume të tjera ndërkombëtare, Beogradi ka refuzuar t’i vendosë sanksione Moskës.

Serbia është tërësisht e varur nga importet e gazit nga Rusia dhe shitësi i saj i naftës NIS është në pronësi të Gazpromit rus. /*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Reuters/VOA