Serbia i jep shtetësi të pandehurit të arratisur për krime lufte

Autoritetet serbe i dhanë shtetësinë ish-policit ushtarak serb të Bosnjës Mirko Vruciniç në qershor 2020 – dy muaj para se mbrojtja e tij të paraqiste argumentet e saj përfundimtare në gjyqin e tij për krime lufte, mësoi BIRN.

Gjykata shtetërore e Bosnjës i tha BIRN se emri i Vruciniç u fut në regjistrin e shtetasve serbë në shtator 2020 mbi bazën e një urdhri të lëshuar nga Ministria e Brendshme Serbe në qershor.

Më 31 gusht, 2020, Vruciniç nuk arriti të paraqitej për një seancë dëgjimore në gjykatën shtetërore të Bosnjës në Sarajevë, duke përcjellë një mesazh përmes avokatit të tij Branko Gudalo se ai kishte shkuar në Serbi sepse gjyqi i tij ishte i padrejtë.

Pasi gjykata u informua se ai ishte arratisur në Serbi, u zbulua se ai kishte kaluar pikën kufitare në Raca më 30 gusht në 13:25 pasdite.

Vruciniç, ish-shefi i Stacionit të Sigurisë Publike të policisë dhe një anëtar i Komitetit të Krizave në Sanski Most, ishte gjykuar që nga viti 2015 për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale që ishte përgjegjëse për vrasje, zhvendosje të detyruar, ndalime të paligjshme dhe zhdukje të detyruar.

Prokurorja Eldina Biuk tha në seancën dëgjimore më 31 gusht të vitit të kaluar se prokuroria e shtetit i kishte kërkuar Serbisë disa herë të siguronte informacione nëse Vruciniç kishte shtetësi të dyfishtë ose nëse ai kishte aplikuar për shtetësi serbe, por autoritetet e Beogradit nuk u përgjigjën.

“Ne kërkuam gjithashtu ndihmë përmes Interpolit”, i tha BIRN zëdhënësi i prokurorisë së shtetërore të Bosnjës Boris Grubesiç.

“Zyra e Prokurorit në Hagë siguroi ndihmë dhe koordinim në nëntor 2020, kështu që ne morëm një përgjigje nga Prokuroria Serbe e Krimeve të Luftës se ai kishte shtetësi serbe dhe një vendbanim të deklaruar në atë vend”, tha Grubesiç.

BIRN u përpoq të merrte informacione në lidhje me shtetësinë e Vruciniçit nga Ministria e Brendshme e Serbisë në dy raste, por këto kërkesa u refuzuan.

Megjithatë, Ministria e Brendshme u përpoq të hidhte dyshime mbi faktin nëse Vruciniç, duke qenë serb, mund të kishte një gjyq të drejtë në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Duke qenë se procedurat në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk kanë përfunduar dhe nuk po kryhen në Serbi, ne nuk mund të dimë nëse të gjitha të drejtat e tij janë respektuar, veçanërisht e drejta për një gjykim të drejtë, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat objektive në të cilat anëtarët e popullit serb u ndoqën penalisht për vepra penale të kryera gjatë luftës në Bosnjë nga institucionet boshnjake dhe nga gjykatat ndërkombëtare”, shkroi Ministria e Brendshme e Serbisë në përgjigjen e saj.

Ministria e Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj një kërkese shtesë për të komentuar mbi çështjen e dhënies së shtetësisë një të pandehuri për krime lufte në fund të gjyqit të tij në një vend tjetër.

Marrëveshja e ekstradimit midis Bosnjës dhe Serbisë nuk zbatohet për personat e akuzuar për gjenocid, krim kundër njerëzimit ose krime lufte, e cila është arsyeja pse të pandehurit serb të Bosnjës që kanë shtetësi serbe dhe boshnjake shpesh largohen nga vendi për të shmangur dënimin e mundshëm.

“Duke u larguar për në Serbi, shtetësinë e së cilës ai e ka, Vruciniç është bërë i pa disponueshëm për organet e prokurorisë boshnjake, duke pasur parasysh që as Bosnja dhe as Serbia nuk ekstradojnë qytetarët e tyre në raste gjenocidi, krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte”, tha për BIRN gjykata shtetërore e Bosnjës.

Gjykata shtetërore tha se një numër i madh të pandehurish që janë aktualisht në gjyq për krime lufte në Sarajevë kanë shtetësi të dyfishtë të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë ose Kroacisë.

“Ata që nuk kanë shtetësi të dyfishtë para fillimit të procesit gjyqësor e marrin atë gjatë gjykimit”, tha gjykata.

Gjykata tha gjithashtu se kishte refuzuar një kërkesë të prokurorisë për të dhënë një vendim në mungesë në çështjen ndaj Vruciniç, pasi ligji boshnjak nuk lejon gjykime pa të pandehurin të pranishëm. BalkanInsight