Monumenti në vendin e varrit masiv Ovcara. Foto: Marko Risovic/BIRN.

Serbia ekstradon në Kroaci të dënuarin për masakrën e Vukovarit

Ivica Husnik, një paraushtarak i dënuar për pjesëmarrje në vrasjen e rreth 200 të burgosurve kroatë pas rënies së qytetit të Vukovarit në 1991, u ekstradua nga Serbia në Kroaci për të vuajtur një dënim me burg për një krim tjetër.

Ivica Husnik, i cili u dënua në Serbi për përfshirje në vrasjen e rreth 200 njerëzve në fermën Ovcara pranë Vukovarit në nëntor 1991, u ekstradua në Kroaci më 7 korrik për të vuajtur dënimin e tij për një krim tjetër, konfirmoi të hënën Gjykata e Qarkut të Osijekut.

Zëdhënësi i Gjykatës së Qarkut të Osijekut, Miroslav Rozç,c tha se Husnik u dënua në Kroaci në 1997 dhe u dënua me tetë vjet burg “për shkak të krimeve të kryera në zonën e Vukovarit gjatë Luftës për Atdhe”. Zëdhënësi nuk dha detaje të plota të krimeve.

Husnik tani po mbahet në burgun Remetinec në Zagreb, “ku kryhet procedura për përcaktimin se ku do të vuajë dënimin me burg një person i dënuar ligjërisht”, shtoi Rozçc.

Husnik ka qenë në paraburgim në Serbi që nga viti 2003. Në nëntor 2017, Gjykata e Lartë e Beogradit e dënoi atë me 15 vjet burg për rolin e tij në masakrën e të burgosurve kroatë në Vukovar në nëntor 1991.

Sipas vendimit të Beogradit, Husnik ishte një anëtar i njësisë paraushtarake Leva Supoderica, e cila, së bashku me forcën e Mbrojtjes Territoriale të Vukovarit, morën pjesë në vrasjen e rreth 200 të burgosurve në fermën Ovcara pasi u morën në Spitalin e Vukovarit.

Vrasjet ndodhën pasi qyteti lindor kroat ra në duart e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe paraushtarakëve serbë pas një rrethimi shkatërrues tre-mujor.

Gjykata e Beogradit zbuloi se ai, së bashku me të tjerë, “formoi skuadra pushkatimi dhe hapi zjarr me armë zjarri” ndaj viktimave përpara një grope të hapur, në të cilën trupat u varrosën më pas.

Husnik, i cili ka lindur në Vukovar, fillimisht ishte anëtar i Mbrojtjes Territoriale të fshatit Borovo Selo përpara se t’i bashkohej njësisë Leva Supoderica në nëntor 1991.

Në vitin 1992, Husnik ndryshoi emrin e tij në Ivan Atanasijeviç, por pas luftës ai mori përsëri emrin e tij të vjetër.