Foto: Ministria serbe e Mbrojtjes

Serbia e heq gjendjen e jashtëzakonshme

Gjendja e gatishmërisë së ngritur luftarake në Forcat e Armatosura të Serbisë është shfuqizuar me vendim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar Tanjug.

Gatishmëria luftarake ishte shpallur më 26 dhjetor për shkak të situatës në veri të Kosovës.

Në atë kohë, presidenti Vuçiq, si Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të Serbisë, urdhëroi që ushtria dhe të gjitha njësitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.

Vuçiq mbrëmjen e 28 dhjetorit pas një takimi me serbët e Kosovës në Rashkë deklaroi se barrikadat në veri të Kosovës do largoheshin brenda 48 orëve.

Serbë në veri të Kosovës nga data 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

E gjitha kjo ndodhi pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet  në Kosovë.

Pantiq dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Vuçiq: Heqja e barrikadave do të nisë mëngjesin e së enjtes