Foto: REL/RFE

Serbia arsyetohet për qëndrimin prorus duke ia kujtuar Ukrainës qëndrimin për bombardimet e NATO-s në Beograd

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, i është përgjigjur ambasadorit ukrainas Volodymyr Tolkach, i cili ka dhënë një deklaratë për N1 dhe ka thënë se Kievi e ka gjithnjë e më të vështirë të kuptojë argumentet e Serbisë për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Nuk e mbaj mend kërkesën e Ukrainës për një seancë speciale të Këshillit të Sigurimit të OKB-së apo vendosjen e sanksioneve kundër agresorëve të Serbisë” – citohet të ketë thënë Vulin, shkruan gazeta serbe Danas.

“Dhjetëra djem dhe vajza serbe vdiqën në bombardimet e NATO-s. Nuk më kujtohet kërkesa e Ukrainës për një seancë speciale të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara apo vendosja e sanksioneve kundër agresorëve të Serbisë.

“Nuk është vonë për Ukrainën dhe për të gjitha vendet që kërkojnë një gjyq për krimet e luftës në konfliktin ukrainas-rus. Të kërkojnë që të gjykohen edhe vrasësit e fëmijëve serbë në agresionin e NATO-s, krimet e luftës nuk skadojnë, është një mundësi për të treguar parime” – tha Vulin në një deklaratë.

Deklarata e ambasadorit ishte kritikuar më herët nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se “diplomatët e huaj, nëse mendojnë se është koha për të bërë presion me arrogancë ndaj vendit tonë, kanë zgjedhur momentin e gabuar”.

Ambasadori i Ukrainës në Serbi Volodymyr Tolkach ka thënë të hënën se është një pyetje shumë e vështirë për Ukrainën,për vendimin e Serbisë për të mos vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse.

“Ne do të donim ta shihnim Serbinë si mike dhe aleate dhe është e vështirë për ne të kuptojmë argumentet që jep Serbia me secilin prej ushtarëve tanë të rënë, me çdo fëmijë të rënë, dhe deri më tani kanë vdekur më shumë se 300 fëmijë dhe shumë të tjerë, janë të plagosur. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të kuptosh argumentet e Serbisë” – tha ambasadori për N1.