Policë civilë pranë muralit të Ratko Mlladiçit të martën në mbrëmje pas arrestimit. Foto: BIRN.

Serbia arreston aktivistet se qëlluan me vezë muralin e Ratko Mlladiqit

Policia arrestoi dy persona pasi qëlluan me vezë një murale të kriminelit serb të Bosnjës të kohës së luftës Ratko Mlladiq në kryeqytetin serb, Beograd, të cilin autoritetet e kanë ndaluar aktivistët ta heqin.

Policia serbe arrestoi të martën aktivisten qytetare Aida Coroviq dhe ilustruesen Jelena Jacimoviq se qëlluan me vezë një murale të gjeneralit serb të Bosnjës të kohës së luftës Ratko Mlladiq në murin e një rezidence banimi në Beograd.

Sipas videos së postuar në Facebook nga gazetarja Jelena Dikoviq e gazetës Danas, oficerë policie të veshur civilë i kapën dy gratë dhe i arrestuan menjëherë.

Policë civilë pranë muralit të Ratko Mlladiçit të martën në mbrëmje pas arrestimit. Foto: BIRN.

Policia e kishte ruajtur muralin gjatë gjithë ditës dhe, sipas mediave lokale, duke kontrolluar këdo që i afrohej.

Megjithatë, Ministria e Brendshme serbe këmbënguli se “ne nuk po ruajmë muralin, por po sigurojmë qetësinë dhe rendin publik”.

Ministria kishte ndaluar tashmë aktivistët nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, një OJQ me qendër në Beograd, që të mbanin një tubim publik të martën për të pikturuar mbi mural.

Ministria tha në vendimin e saj të premten se “mund të ketë një tubim të një numri të madh njerëzish që do të shprehnin pakënaqësi dhe kundërshtim ndaj mbajtjes së një tubimi publik të organizuar nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, prandaj ekziston rreziku i konflikti fizik i ndërsjellë dhe prishje e rendit në përmasa më të mëdha”. OJQ-ja ngriti një padi kundër ministrisë për të kundërshtuar ndalimin.

Sipas mediave serbe, murali i Mlladiqit u shfaq më 23 korrik në murin e një rezidence banimi në komunën e Vraçarit, afër qendrës së qytetit.

Një slogan në mural thotë: “Gjeneral, nëna juaj duhet të falënderohet”.

Banorët e ndërtesës u përpoqën t’i detyronin ndërmarrjet komunale ta heqin atë, por ato nuk e bënë.

Në qershor të këtij viti, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm të Ratko Mlladiqit për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin gjatë luftës, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës me një fushatë bombardimesh dhe snajper gjatë rrethimit të qytetit, dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.